Maqedoni
Femicidi në Maqedoni, për 3 vjet vriten 15 gra vetëm pse janë gra
25.10.2017 17:51
Tre vitet e fundit, jozyrtarisht janë regjistruar 15 vrasje të grave në vendin tonë...

Të gjitha rastet janë të njohura si femicidë, gjegjësisht vrasje të qëllimshme të grave vetëm pse janë gra. Femicidi është forma më e rëndë e dhunës ndaj grave dhe mund të jetë pasojë e drejtpërdrejtë e dhunës familjare ose dhunës intime mes partnerëve.
Në konferencën e Rrjetit ndërkombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, u potencua fakti se në Maqedoni femicidi nuk është rregulluar si vepër e veçantë penale dhe se nuk ka statistikë zyrtare të femicidit ose vrasjeve të grave në nivel nacional.
“Nga viti 2013 deri në vitin 2016 kemi regjistruar 15 vrasje, por kjo nuk është statistikë zyrtare dhe nuk e paraqet numrin real. Nga Enti Shtetëror për Statistikë ka të dhëna dhe nga viti 2008 deri në vitin 2016 ka 70 gra të vrara, por tani bëhet analizë sa nga vrasjet janë femicidë. Viktimat gra janë të moshave të ndryshme. Gratë të cilat janë viktima të femicidit paraprakisht ishin viktima të dhunës, por ishin edhe pak të informuara për paraqitje në institucione adekuate”,- deklaroi drejtoresha ekzekutive e rrjetit, Elena Dimushevska.
“Pas çdo vrasje ka një histori të gjatë të njerëzve të cilët kanë ditur diçka, por nuk kanë vepruar. Në të gjitha rastet ekziston obligim përmes të drejtës obligative që të ndërmerret aksion dhe të mbrohet viktima potenciale. Më me rëndësi për Maqedoninë është që të ratifikohet Konventa e Stambollit”,- tha përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Luiza Vinton.
Nga Ministria për Punë Sociale thonë se te ne ende ndodh që të moralizohen këto ngjarje, të akuzohen gratë se vetë janë fajtore për atë që ka ndodhur, se ato e kanë provokuar përdhunuesin dhe se vetë janë fajtore për pasojat.
Në Ministrinë e resorit është formuar grup punues nga shumë përfaqësues nga institucionet ndërdikasteriale, ku janë të përfshira edhe organizatat joqeveritare. Në MPPS intensivisht punohet edhe në hapjen e Qendrës për viktima të dhunës seksuale.
NERMIN MUKALI-FEJZULLAHU
