Botë
Kuvendi: Tahiri do të hetohet i lirë; Tahiri: E vërteta nuk gjendet në Kuvend
25.10.2017 17:54
Saimir Tahiri do të hetohet i lirë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për dy akuzat e ngritura ndaj tij...

Saimir Tahiri do të hetohet i lirë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për dy akuzat e ngritura ndaj tij: trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike dhe korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë.
Parlamenti shqiptar miratoi me 75 pro raportin e mazhorancës të dalë nga Këshilli i Mandateve, i cili pranon pjesërisht kërkesën e prokurorisë, ku organi i akuzës autorizohet të kontrollojë personalisht dhe banesën e Saimir Tahirit, të pengojë daljen e tij jashtë vendit dhe ta detyrojë të paraqitet pranë policisë gjyqësore. Në fillim të seancës plenare, ish-ministri i Brendshëm mbajti një fjalim të shkurtër ku nuk kërkoi mëshirë nga askush.
“Kjo sallë ka dëgjuar shumë njerëz që janë betuar dhe përbetuar, kështu që unë do ua kursej çdo fjalë timen lidhur me këtë. Jam shumë i bindur, askush nga ju nuk ka kohë për të humbur, unë aq më pak e mbi të gjitha nuk pres ta gjej të drejtën time dhe të vërtetën time këtu në sallën e Parlamentit, por aty ku më takon, para drejtësisë dhe para të gjithë qytetarëve. Kështu që pres çdo vendim tuajin cilido aq qoftë. Rruga ime për të gjetur drejtësinë nuk ndalet dot”,- deklaroi ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri.
Pas kësaj fjale, ai u largua nga salla për të mos u kthyer as në votim. Pas leximit të dy raporteve të këshillit të mandateve, shumica rrëzoi me 75 vota rekomandimin e opozitës dhe miratoi atë të mazhorancës. Ndryshe nga sa pritej, seanca shkoi e qetë dhe opozitarët mbajtën gjatë gjithë seancës përpara vetes pankarta me shënimet “Kundër krimit”, “Kundër drogës”, “Jo qeverisë së drogës”.
LULJETA NDOKA
