MPPS dhe UNDP, subvencionime për 50 punësime në sektorin civil

25.10.2017 19:16

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe UNDP do të subvencionojnë 50 punësime të reja...

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe UNDP do të subvencionojnë 50 punësime të reja në sektorin civil me gjithsej 6 milion denarë, njofton “TVM2”.

Kushti i vetëm për të aplikuar për këto mjete është që OJQ-të të jenë organizata aktive dhe të kenë së paku një të punësuar. Theks i veçantë vendoset në punësimin e të rinjve deri në moshën 29 vjeç, që janë kërkues aktiv të punës në Agjencinë e Punësimit në Maqedoni.

“Me planin operativ kemi parashikuar të bëhen 50 punësime të reja në organizatat joqeveritare të cilat gjatë këtij viti kanë pasur aktivitete të ndryshme dhe që kanë së paku një të punësuar”,- u shpreh ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.

“Me këtë projekt që është me rëndësi të madhe për UNDP-në, po përforcojmë mbështetjen ndaj sektorit civil i cili punon për qytetarët dhe që të hapen vende të reja të punës”,- tha përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Luiza Vinton.

PAGA MINIMALE, CAROVSKA: NGA DHJETORI, MASA TË RREPTA PËR SHKELËSIT E LIGJIT

Carovska gjithashtu njoftoi se ka mbetur edhe një javë kohë për dorëzimin e kërkesave të punëdhënësve për kompensim nga shteti për pagesën e rrogës minimale prej 12 mijë denarëve. Carovska thotë se po punohet për implementim e plotë të Ligjit për pagë minimale.

“Sipas përcaktimeve të qeverisë, në këtë periudhë derisa nuk adaptohen të gjithë për implementimin e pagës minimale në Maqedoni, do të japin vetëm vërejtje dhe këshilla, në asnjë moment nuk do të dëmtohen të punësuarit, ndërsa nga muaji dhjetor do të shkojmë me masa represive”,- theksoi ministrja e MPPS-së, Milla Carovska.

Deri tani janë dorëzuar gjithsej 8.955 kërkesa, prej të cilave 6.844 janë  zgjidhur pozitivisht, tha Carovska. (Rexhep Qamili, TVM2)