Zgjedhjet lokale 2017, këtë të diel mbahet rrethi i dytë
Nesër në mesnatë përfundon fushata për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë të diel në Maqedoni...

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet në 35 komunat ku nuk pati fitues për kryetar komune në rrethin e parë, ndërsa në garë mbeten dy kandidatët që morën më së shumti vota.
Por, qytetarët të cilët dëshirojnë të votojnë, por u skadon afati i vlefshmërisë së dokumentit për identifikim personal mes dy raundeve, në rrethin e dytë do të mund të votojnë vetëm me letërnjoftim apo dokument udhëtimi të vlefshëm, informojnë nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Ndërsa për t’u mundësuar që të shfrytëzojnë të drejtën e votës qytetarëve të cilët kanë problem me dokumentet e identifikimit, MPB kërkesat për letërnjoftime do t’i pranojë deri të shtunën në orën 16:30, ndërsa ato do të jenë gati në ditën e zgjedhjeve.
Po ashtu, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot filloi me shpërndarjen e materialit të besueshëm zgjedhor deri te komisionet komunale zgjedhore.
Në pajtim me afatin zgjedhor, KShZ-ja materialin zgjedhor e dorëzon deri te KKZ-ja më së voni në afat prej 72 orëve para ditës së zgjedhjeve, ndërsa KKZ-ja është e obliguar një ditë para ditës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve ta dorëzojë materialin zgjedhor në këshillat zgjedhorë.
