Ahmeti takon Uolersin dhe Bushatin
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në selinë e partisë në Reçicë të vogël, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni, Petrit Bushatin….

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot në selinë e partisë në Reçicë të vogël, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoni, Petrit Bushatin.
Gjatë këtij takimi, bashkëbiseduesit folën për zhvillimet politike në vend, si dhe rikujtuan takimet e tyre të mëhershme gjatë sfidave të vështira për shqiptarët. Po ashtu, kreu integristëve ka uruar ambasadorin shqiptar për marrjen e statusit kandidat të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, ndërsa për sa i përket anëtarësimit të Maqedonisë në BE, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se po punohet në këtë drejtim.
“E shfrytëzoj rastin publikisht të uroj zotin Bushati dhe përmes tij të gjithë autoritetet në Shqipëri, për statusin kandidat të Shqipërisë për në BE, me çka vlerësuam që kjo ngjarje është shumë e rëndësishme dhe një e arritur jashtë zakonisht e madhe jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor. A do e lejmë të kënaqemi edhe pak me suksesin e Shqipërisë dhe tani do flasim edhe për hapat tjerë që duhet t’i bëjnë vendet tjera, jemi duke punuar”, deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga ana tjetër, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni, Petrit Bushati, ka përgëzuar liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, për punën serioze që bën partia e tij për anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike, duke shtuar se Republika e Shqipërisë do ta përkrah fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
“Kjo është vërtetë ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe gjithë rajonin, sepse tregon që rajoni në mënyrë unike ka një ecje të sigurt drejt integrimit evropian dhe euroatlantik. Shqipëria zoti Ahmeti, siç e dini, mbështet Maqedoninë për anëtarësimin në NATO dhe njëkohësisht në BE dhe aktualisht Shqipëria si vend i NATO-s do të jetë krah kësaj përpjekjeje”, theksoi ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Petrit Bushati.
Përndryshe, pas takimit me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Petrit Bushatin, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, po ashtu në selinë e partisë është takuar edhe me ambasadorin e SHBA-ve në Maqedoni, Poll Uollers. Bashkëbiseduesit diskutuan rreth situatës politikë në Maqedoni dhe në rajon, integrimin Euroatlantik të Maqedonisë, si dhe dialogun politik.
Kryetari Ahmeti njoftoi ambasadorin amerikan për negociatat me partnerin e koalicionit rreth formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë dhe vendosjes së prioritetit të kësaj Qeverie mbi integrimet Euroatlantike të Maqedonisë.
BDI vazhdon të jetë e përkushtuar që Maqedonia të zë vendin e merituar në NATO dhe të fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. (Miftar Emini, TVM2)
