Zgjedhjet lokale 2017, Ahmeti: BDI nuk bën marrëveshje të fshehta
Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdoi fushatën në komunën e Dollnetit dhe atë të Bogovinës.....

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdoi fushatën në komunën e Dollnetit dhe atë të Bogovinës.
Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, gjatë qëndrimit në Debresh të Dollnenit, sqaroi elektoratin se në këtë komunë BDI ka rival LSDM-në dhe hodhi poshtë spekulimet për ndonjë pazar të mundshëm me partnerin e koalicionit qeveritar në dëm të kandidatit të vet, në Dollnen. Ai ftoi edhe votuesit e partive të tjera shqiptare që të mbështesin kandidatin e BDI-së.
“Unë jam në koalicion me LSDM-në, kemi bërë marrëveshje si partner, atje ku ka nevojë të mbështet LSDM do të mbështetet atje ku ka nevojë BDI do mbështetet nga LSDM dhe ky partneritet ka funksionuar mirë. Atje ku do të jetë në garë BDI dhe LSDM do respektohet vullneti i shumicës së qytetarëve. Po e përsëris edhe një herë, kurrën e kurrës mos bini pre e dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme. As kam bërë ndonjëherë ndonjë marrëveshje të fshehta dhe as nuk do të bëj, asnjëherë në jetën time”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ai ftoi votuesit e Dollnetit që më 29 nëntor të organizohen mirë dhe dalin të votojnë në masë. “Fituam në rrethin e parë, vendin e parë, dhe për mua fitorja ka qenë më 15 tetor”, - theksoi Ahmeti, duke premtuar mbështetje për të gjitha projektet e parapara në programin e kandidatit për kryetar komune.
Kandidati për kryetar komune, Xhemil Qamili, premtoi se do të zbatojë programin e prezantuar që në rrethin e parë dhe se për këtë ka mbështetjen e ekzekutivit.
“Ne u dëshmuam edhe si parti, e drejtonim komunën nga 2009 deri në 2013. Ne bëmë më shumë se e gjitha ajo që është bërë deri tani. Besoni, do të vazhdojmë atje ku mbetëm dhe me tempo më të fuqishme. Do të bëjmë gjithë çfarë ka në program, por edhe atë që kemi harruar nuk do ta lëmë pas dore. Prandaj më 29, dilni në masë të votojmë për të ardhmen tonë”,- theksoi kandidati për kryetar komune në Dollnen – BDI, Xhemil Qamili.
Qamili njoftoi elektoratin se gëzon edhe mbështetjen e strukturës së Lëvizjes BESA dhe PDSh-së në Dollnen.
Ndërkaq, kandidati për komunën e Bogovinës tha se programi që ofron është i realizueshëm, por për të arritur suksese i duhet edhe mbështetja e ministrave të BDI-së, pasi komuna për të cilën garon bën pjesë në grupin e komunave me resurse të kufizuara financiare.
“Ju ftoj që edhe ata pak që kanë ngelë t’i ftoni me ne, sepse programi ynë është një program i drejtë, por edhe e realizueshëm. I kemi kushtet, e kemi mundësinë që të mos ta ndalim komunën tonë në zhvillim por ta zhvillojmë, t’i realizojmë edhe ato punë të ngelura në Komunën e Bogovinës”,- tha kandidati për kryetar komune në Bogovinë – BDI, Berzah Bejtullahu.
Bejtullahu konstatoi se gjatë fushatës në rrethin e dytë gjen përkrahje më të madhe në elektorat. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
