Zgjedhjet lokale 2017, VMRO takime në Makedonska Kamenicë
Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, vizitoi mbrëmë komunën Çeshinov - Obleshevë....

Koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, vizitoi mbrëmë komunën Çeshinov - Obleshevë dhe Makedonska Kamenicën.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, tha se ndryshimi i emrit dhe identitetit është qëllimi kryesor që e solli LSDM-në në pushtet, pasi në dhjetor ata i humbën zgjedhjet. Ai thotë se ka disa qëllime pse partia e Zaevit erdhi në pushtet.
“Një ndër to është marrëveshja me Bullgarinë. Më pas është për të mbushur Maqedoninë me emigrant, ne nuk kemi asgjë kundër atyre njerëzve, kanë problem, kur kalonin nëpër Maqedoni i ndihmonim, por as ata nuk duan të jenë këtu, e as ne nuk mundemi ekonomikisht të përballojmë këtë. LSDM, për t’u dëshmuar si e mirë para disa kryeministrave dhe presidentëve, është dakorduar që të sjellë një numër të madh të emigrantëve këtu, që t’u japin nënshtetësinë dhe të jetojnë gjithmonë këtu. Këtu është edhe Ligji për dygjuhësinë, që është jokushtetues, dhe ata mundohen ta shtynë si të tillë, si antikushtetues. Në fund është rritja e taksave, të cilat ju do të shihni se si do të ndjeheni”,- theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Ai foli edhe për ndodhitë e 27 prillit, që sipas tij janë ndodhi të palakmueshme të cilat nuk është dashur të ndodhin, por kanë qenë të provokuara qëllimisht. Ai shtoi se tani më u pa se si LSDM u zhvilloi zgjedhjet, por gjithsecili që është kthyer kundër popullit të vetë, fundin e ka të keq.
Kandidati i VMRO-DPMNE-së për kryetar komune në Makedonska Kamenicë, Darko Mitevski, tha se partia e tij duhet medoemos të fitojë më 29 tetor, pasi që vetëm kështu mund të vazhdohet suksesi i kësaj komune. Ai potencoi se të gjithë qytetarët e kësaj komune janë dëshmitarë se sa shumë projekte janë realizuar për këtë zonë.
“Të gjithë duhet të pyesim veten çfarë kemi fituar pasi që LSDM e mori pushtetin qendror? Ku është ligji i vjetër i minatorëve që premtuan? Ende marrim faturat për taksat radiodifuzive edhe pse ata thonë se do t'i heqin ato? Dhjetë herë erdhën dhe u fotografuan në rrugën magjistrale Kamenicë - Koçan, por edhe pas gjashtë muajve asnjë gur nuk është lëvizur. E ndaluan projektin për rrugën Kamenicë – Palank, për të cilën qeveria e VMRO-DPMNE kishte siguruar mjete financiare nga Banka Botërore. Rezultatet nga puna e LSDM-së janë premtime boshe dhe marrëveshjeve të dëmshme për identitetin kombëtar maqedonas. Të gjithë qytetarët e komunës janë dëshmitarë për punën tonë, kemi sheshin e rregulluar, treg modern, kemi investuar edhe në fushën e sportit, ndërsa vetëqeverisja lokale ka punuar në shumë projekte në zonat rurale. Për dallim nga ne LSDM, tenton që me kërcënime të merr votën e qytetarëve me 29 tetor, por të jenë të bindur se tentativat për të fituar me dhunë do ti shkojnë poshtë, pasi qytetarët din të dallojnë të mirën nga e keqja”,- theksoi kandidati për kryetar komune në Makedonska Kamenicë nga VMRO-DPMNE, Darko Mitevski.
Nga VMRO-DPMNE rikujtuan se kur kjo parti ishte në pushtet në komunën Çeshinovo - Obleshevë, kishte gjithsej 560 punonjës dhe në fund të vitit 2016 kjo shifër ishte 1,570. Sipas tij, qeveria aktuale, në vend që të punojë në realizimin e projekteve të premtuara, qytetarëve u shet erë dhe mjegull. (Sanije Duraku, TVM2)
