Projektet inovative, nga 9.5 mln euro në dispozicion, Maqedonia shfrytëzon vetëm 9%
Maqedonia, edhe pse ka në dispozicion 9.5 milion euro nga Banka Botërore për projekte inovative...

Maqedonia, edhe pse ka në dispozicion 9.5 milion euro nga Banka Botërore për projekte inovative, deri tani ka shfrytëzuar vetëm 9%, u tha në tribunën e mbajtur lidhur me aspektet komerciale të inovacionit dhe mundësitë financiare.
Drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim, Jovan Despotovski, tha se nëse këto mjete nuk shfrytëzohen deri në mesin e vitin 2019, do të duhet të kërkohet vazhdimi i afatit.
Niveli i ulët i ndërgjegjësimit për atë se çka është inovacion, mundësitë që të financohet, si dhe instrumentet të cilat janë në dispozicion të kompanive, janë arsyet kryesore për shfrytëzimin e dobët të këtyre fondeve, vlerëson Despotovski.
“Kemi shfrytëzim të mjeteve më pak se 9%. Për këtë arsye duhet të zgjerojmë tregun ku fondi t’i plasojë mjetet, jo vetëm për start up pjesëmarrësit e rinj në treg, por edhe tek kompanitë e vogla dhe të mesme të cilat janë të etabluar në treg, që deri tani për fat të keq shumë pak janë të interesuar për t’i shfrytëzuar mundësitë e fondit, ndërsa kanë kapacitet dhe ide se si ato t’i vendosin në letër dhe të aplikojnë për fonde”,- deklaroi drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim, Jovan Despotovski.
Janë financuar deri më tani 20 deri në 25 projekte, siç thotë Despotosvki, por këto projekte kryesisht janë shumë të vogla dhe janë kryesisht nga Industria IT. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
