Zgjedhjet lokale 2017, Taravari: Gostivari kërkon ndryshime

26.10.2017 19:13

Kandidati i Aleancës për shqiptarët, Arben Taravari, thotë se në Gostivar.....

Kandidati i Aleancës për shqiptarët, Arben Taravari, thotë se në Gostivar ka ardhur koha e ndryshimeve të mëdha, madje, sipas tij, këtë e kërkon edhe vetë dega e BDI-së në këtë komunë. Taravari tha se për rrethin e dytë të zgjedhjeve ka mbështetjen e të gjitha komuniteteve.

“Çdo qytetar i ndërgjegjshëm i Gostivarit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, kërkon ndryshime, kërkon njerëz të ndershëm e të ndërgjegjshëm për ta udhëhequr komunën e tyre. Mendoj se në 29 tetor, fitorja do të jetë me një diferencë shumë të madhe. Brenda BDI-së ka erozion të brendshëm, e shumë anëtarë, madje edhe funksionarë, na afrohen me të madhe, sepse edhe ata mendojnë që pas 15 vjetësh duhet të kenë ndryshime në degën e BDI-së në Gostivar”,- deklaroi kandidati për kryetar të Gostivarit nga Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari.

Në Gostivar, ASh tashmë ka mbështetjen edhe të partive turke. Ai pret fitore të thellë në 29 tetor ndaj kundërkandidatit të BDI-së, Nevzat Bejtës. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)