Çështja “Tahiri”, Lu: askush mbi ligjin, duhet të dini të vërtetën
Një ditë pas heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit....

Një ditë pas heqjes së imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, 4 oficerë të policisë gjyqësore kanë zbarkuar në banesën e tij, duke ushtruar kontroll banese dhe kontroll personal të tij.
Ende nuk dihet çfarë provash kanë administruar oficerët, ndërsa pritet që të analizohen gjatë procesit hetimor. Për herë të parë, lidhur me çështjen Tahiri ka folur edhe ambasadori amerikan, duke dhënë një sugjerim për drejtësinë shqiptare.
“E drejta për të ditur të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike, por qytetarëve. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë. Nëse është fajtor, ai duhet të përballet me drejtësinë”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në Tiranë, Donald Lu.
Deklaratën e ambasadorit ndryshe e ka lexuar kryeministri Rama dhe ndryshe kundërshtari i tij politik, Lulzim Basha.
Rama deklaroi se “Lu foli qartë, nuk mund të ketë gjyqe si në kohën e komunizmit”, ndërsa Basha deklaroi se “Tahiri nuk mund t’ia hedhë drejtësisë kësaj here.
Saimir Tahiri do të hetohet i lirë për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”. (Luljeta Ndoka, TVM2)
