Maqedoni

Përfundon fushata, nga mesnata heshtja zgjedhore

27.10.2017 13:11

Në mesnatë përfundon fushata zgjedhore për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe fillon heshtja para votimit të dielën...

Vendi është gati për rrethin e dytë zgjedhor, 35 komuna zgjedhin në balotazh të dielën kryetarët e rinj.
 
KShZ ka filluar shpërndarjen e materialit zgjedhor në komisionet komunale në të gjithë territorin e vendit.
 
Votimi të dielën fillon në orën shtatë dhe do të zgjasë deri në orën 19. Zgjedhjet lokale do të zbatohen në 35 komuna në 1.517 vendvotime, ku të drejtë vote kanë 833.710 qytetarë.
 
Në rrethin e dytë marrin pjesë 70 kandidatë për kryetarë komunash. Të shtunën, një ditë para zgjedhjeve, votojnë të sëmurët dhe personat e pafuqishëm, të burgosurit dhe personat në paraburgim. 
 
Rrethi i parë i zgjedhjeve u mbajt më 15 tetor, ku u zgjedh kryetari i qytetit të Shkupit dhe kryetarë të 45 komunave. Në rrethin e parë janë zgjedhur edhe anëtarët e këshillave komunalë. Këto zgjedhje janë zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni që nga pavarësia.