Ahmeti: S’do ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare
BDI nuk është i interesuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare....

BDI nuk është i interesuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve lokale. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, madje siguroi se zgjedhje të tilla nuk do të ketë.
“Unë ju siguroj që zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë në këtë vend. Ka një koalicion të qëndrueshëm. Ka një program jashtëzakonisht voluminoz, jashtëzakonisht të mirë që pret zbatim, që pret reforma. Shumë më me rëndësi është për vendin tonë që ne të koncentrohemi në zbatimin e programit për të cilin jemi dakorduar, siç janë reformat në gjyqësi dhe pikërisht këtu duhet të tërë forcat të koncentrohen, të gjitha mediat, ne kemi më së shumti nevojë që në vendin tonë të sundojë ligji”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Veç angazhimit për vënien në funksion të shtetit ligjor, qeveria reformatore ka në agjendë edhe marrëdhëniet me fqinjët. Këto procese, sipas Ahmetit, lidhen drejtpërsëdrejti me anëtarësimin e vendit në NATO dhe në BE. Prandaj, ashtu siç arrit marrëveshje me Bullgarinë, Ahmeti pretendon se do të zgjidhin problemin edhe me palën greke.
Sa i takon stabilitetit qeveritar dhe shumicës parlamentare, pas koalicionimit të Aleancës për Shqiptarët me Lëvizjen BESA, Ahmeti tha se Qeveria funksionon në kuadër të normalitetit dhe se çështja për pjesëmarrje ose braktisje të qeverisë i përket kreut të Aleancës, Ziadin Sela.
Ndërkohë, nuk përjashtoi mundësinë për bashkëpunim me PDSh-në, pasi, siç tha, ka mbetur pak vend për të folur për moral dhe kredibilitet në politikë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
