BE-REPUBLIKAT SOVJETIKE

Pakti i BE-së me ish-republikat Sovjetike

27.06.2014 15:52

Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë nënshkruar marrëveshje partneriteti me Bashkimin Evropian edhe përkundër kundërshtimit të Rusisë........

Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia kanë nënshkruar marrëveshje partneriteti me Bashkimin Evropian edhe përkundër kundërshtimit të Rusisë. Marrëveshja i afron këto vende ish-sovjetike më shumë me Brukselin si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, megjithëse me Ukrainën është nënshkruar vetëm pjesa ekonomike e marrëveshjes.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy, duke theksuar se BE tanimë është në krah të këtyre vendeve më shumë se kurrë, e cilësoi këtë edhe si një ditë të madhe për Evropën.

“Këto nuk janë vetëm marrëveshje të thjeshta, por edhe bazë për marrëdhëniet tona dhe Evropën në tërësi”, deklaroi presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompuy.

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, deklaroi se e sheh nënshkrimin e marrëveshjes si fillimin e përgatitjeve për anëtarësimin e plotë të vendit të tij në Bashkimin Evropian.

“Kjo është ndoshta dita më e rëndësishme për Ukrainën pas pavarësisë. Datë e rëndësishme edhe për historinë edhe për ardhmërinë. Dëshmuam se vullneti i fuqishëm i ndryshon gjërat”, theksoi Poroshenko.

Marrëveshja kundërshtohet me forcë nga Rusia dhe është pikërisht një marrëveshje e tillë e refuzuar nga ish-presidenti ukrainas, Viktor Janukoviç, nën presionin e Rusisë, që solli deri te kriza e Ukrainës dhe largimin e tij me anë të protestave nga pushteti.

Por, zëvendësministri i Jashtëm rus, Grigory Karasin, ka thënë sot se për Ukrainën do të ketë “pasoja të rënda”, pasi presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka nënshkruar marrëveshjen tregtare me Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, në Ukrainën lindore raportohen luftime sporadike mes separatistëve pro-rusë dhe forcave qeveritare, pavarësisht se në fillim të javës u njoftua një armëpushim i njëanshëm i Kievit, që më vonë u pranua edhe nga separatistët.

Nga një sulm i separatistëve pro-rus në lindje të Ukrainës, njoftohet për katër ushtarë ukrainas të vrarë dhe pesë të tjerë të lënduar. (Gyltene Sinani, TVM2)