Botë

Somali, dy shpërthime trondisin kryeqytetin; viktima

28.10.2017 18:28

Kryeqyteti i Somalisë, Mogadisho, është tronditur këtë të shtunë nga dy shpërthime të fuqishme që kanë ndodhur në një distancë të shkurtër kohore nga njëri-tjetri...

Shpërthimi i parë është shkaktuar nga një auto-bombë që është përplasur ndaj një hoteli, ndërsa i dyti në afërsi të ish-selisë së Parlamentit, pak minuta më vonë.
 
Majori i ushtrisë somaleze, Abdullahi Aden ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Reuters” se pas shpërthimit të parë, militantët kanë bastisur hotelin.
 
Numri i viktimave nuk dihet ende, por ngjarjet vijnë vetëm dy javë nga atentati i madh me bombë që vrau mbi 350 persona.
 
Autoritetet lokale deklarojnë se deri tani kanë rekuperuar trupat e 15 personave të plagosur, ndërsa kanë shtuar se trupat e pajetë në vendin e ngjarjes janë të shumtë.
 
Sipas majorit Aden, hoteli ku ndodhi atentati i parë, “Nasa Hablod Two”, është një ambjent i frekuentuar nga ligjvënës, ushtarakë të lartë, por edhe civilë.
 
Shpërthimi i dytë mësohet të ketë ndodhur rreth gjysmë ore më vonë. Një oficer policie deklaroi për agjencinë e lajmeve “AFP” se, bëhet fjalë për një minibus të mbushur me eksploziv që shpërtheu kur ndodhej pranë një kryqëzimi.
 
Gjithçka ndodh në një kohë kur autoriteteve në Mogadisho u duhet ende të merren me pasojat e shpërthimit të dy javëve të kaluar, që la të paktën 358 të vdekur dhe 56 të tjerë ende të zhdukur./Top Channel