Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, sot mbahet rrethi i dytë në 35 komuna
29.10.2017 12:02
Në 35 komuna të vendit që prej orës 7 të mëngjesit të sotëm po mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale....

Në këto zgjedhje votohet për kryetar komune, pasi zgjedhja e këshilltarëve ka përfunduar që në rrethin e parë. Në 1517 vendvotime të drejtë vote kanë 833 mijë e 710 votues.
Votohet edhe në komunat e Shkupit, si Çair, Butel, Gazibabë, Saraj, Studeniçan, Kisella Vodë dhe Shuto Orizare. Në vendvotimin 2763, ku qëndroi ekipi ynë, procesi i votimit ka filluar në kohë dhe gjithçka po rrjedh sipas procedurave.
“Lidhur me distribuimin e materialit, dje arriti në kohë, vendvotimi u përgatit sipas protokollit normal, gjithçka ishte siç duhet, pa kurrfarë vërejtjesh apo lëshimesh në procedurë. Sot vendvotimi u hap në kohë në orën 7 dhe qytetarët po vijnë për të votuar”,- tha kryetari i vendvotimit në Kisella Vodë.
“Në këtë vendvotim 2489 në komunën e Gazibabës, nuk janë regjistruar shkelje serioze të procesit të votimit. Votimi ka filluar në kohë në orën 7”,- theksoi kryetari i vendvotimit në Gazi Babë.
Qytetarët thonë “le të fitojë më i miri”, por presin që fituesit t’i realizojnë premtimet.
“Të jetë pozitive, kush është më i mirë le të fitojë. Të lëviz kjo komunë si duhet”,- tha një qytetar.
“Të jetë më mirë, shumë më mirë se deri tani, të bëhet më shumë për pensionistët”,- u shpreh një qytetar.
“Ne dëshirojmë që për të rinjtë të jetë më mirë, por do të shohim, shpresojmë për më mirë”,- theksoi një qytetar.
Po ashtu sot po votohet edhe në Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Shtip, Vinicë, Demir Kapi, Makedonski Kamenicë, Makedonski Brod, Kavadar, Probishtip, Gradsko, Jegunovcë, Rosoman, Nagoriçan të Vjetër, Çashkë, Mogill, Zërnovc, Bërvenic, Çeshinovë-Obleshevë, Bogovinjë, Vrapçisht, Dollnen, Zhelinë, Likovë, Tearcë dhe Karbinci.
Zgjedhjet e sotme po ndiqen edhe nga 5 mijë e 101 vëzhgues vendorë dhe të huaj, si dhe 20 gazetarë të huaj. Procesi i votimit do të përfundojë në orën 19.00, ndërsa më pas KShZ do të shpallë rezultatet e zgjedhjeve varësisht nga dinamika e numërimit të votave.
Ndryshe, në rrethin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 15 tetor u zgjodhën kryetarët e këshillave komunalë në të gjitha komunat e vendit, kryetari i Shkupit dhe kryetarët e 45 komunave të vendit në të cilat sot nuk votohet.
KALTRINA MAKSUTI
