BFI uron besimtarët për fillimin e “Muajit të Ramazanit”
Kryetari i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepit, ka dërguar sot urimin tradicional për të gjithë besimtarët islam, me rastin e fillimit të “Muajit të Ramazanit”........
Kryetari i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepit, ka dërguar sot urimin tradicional për të gjithë besimtarët islam, me rastin e fillimit të “Muajit të Ramazanit”. Në këtë muaj ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja. Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë, ka potencuar Rexhepi, duke cituar ajetet kuranore.
“Në një atmosferë festive, ju ftoj që të dëshmojmë për këtë “Muaj të Bekuar të Ramazanit” dhe ta ngrisim shkallën e devotshmërisë sonë duke filluar me agjërimin. Këtë ibadet na e urdhëroi Allahu Mëshirëplotë, ashtu siç ua kishte urdhëruar edhe popujve para nesh. Duke ia përkushtuar agjërimin Allahut Fuqiplotë, ne ruhemi prej të këqijave, drejtohemi fuqishëm dhe shpirtërisht të pastër drejt rrugës së vërtetë. Duhet të jemi shumë të gëzuar, të kënaqur e të lumtur që Zoti fuqiplotë na e mundësoi ta presim edhe këtë “Ramazan”. Edhe kësaj radhe po na jepet mundësia që ta kalisim shpirtin nën frymën islame, ta përforcojmë besimin tonë, përmes përkushtimit në lutje e ibadete, të pastrohemi prej mëkateve tona eventuale dhe ta lartësojmë moralin tonë islam. Këto janë disa nga kushtet që na e mundësojnë devotshmërinë tonë. Duke qenë të devotshëm, ne do të rrezatojmë vetëm dashuri, vëllazëri, bashkëjetesë e paqe. Me këtë do të dëshmojmë se jemi të paepur në rrugën tonë islame, se jemi gjithmonë të gatshëm ta shprehim mirëkuptimin tonë, humanitetin dhe respektin ndaj të tjerëve. Nën këtë frymë islame duhet të pulsojmë gjatë “Muajit të Bekuar të Ramazanit”, sepse përgjatë këtij muaji, siç thotë pejgamberi s. s. “Dyert e Xhenetit janë të hapura dhe shejtanët janë të lidhur”. Po në këtë muaj është edhe një “natë e madhe”,”Nata e Kadrit”, e cila është e virtytshme më shumë se njëmijë muaj të tjerë. Kush nga ne nuk do të dëshironte që të kryente ibadete duke i pasur të hapura dyert e Xhenetit më shumë se njëmijë muaj? Prandaj, besimtarë të dashur, ju lus që këtë muaj ta kalojmë me lutje, me ibadete, me mirësi, në harmoni, mirëkuptim e paqe. Ju uroj një agjërim sa më të lehtë dhe e lus Allahu xh. sh. që t’ua pranojë të gjitha ibadetet dhe t’ju shpërblejë me shpërblimet e tij të pakufishme”, thuhet në mesazhin e kreut të BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, drejtuar besimtarëve islam.
