Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, “Most”: Parregullsi në disa komuna
29.10.2017 18:12
Sipas informatave të konfirmuara nga vëzhguesit dhe zyrat rajonale të Asociacionit “Most”...

Sipas informatave të konfirmuara nga vëzhguesit dhe zyrat rajonale të Asociacionit “Most”, deri më tani janë vërejtur parregullsi më të theksuara në komunën e Shuto Orizares, Butel, komunën e Demir Kapisë, komunën e Çairit etj.
Në komunën e Demir Kapisë janë vërejtur numër më i madh i personave që kanë votuar në shoqërim, ndërsa në komunën Ceshinë-Obleshevë votuesi ka mohuar të spërkatet me sprej të padukshëm dhe sërish i është lejuar të votojë.
“Në vendvotimin 2957 dhe 2958 në komunën e Shuto Orizares janë vërejtur nga pesë raste të votimit familjarë, ndërsa në vendvotimin 2959 gjithashtu në komunën e Shuto Orizares janë vërejtur edhe 8 raste të njëjta. Në vendvotimin 2929 dhe 2930 në komunën e Butelit dy votues janë nënshkruar në vend joadekuat të listës zgjedhore, ku Komisioni Zgjedhor ka përpiluar raport për të njëjtën. Në komunën e Shuto Orizares, vendvotimi 2955, tre raste në të cilat anëtarë të Komisionit Zgjedhor u kanë ndihmuar votuesve të votojnë dhe u kanë sugjeruar se për kë të votojnë. Në komunën e Çairit, votuesi ka fotografuar fletëvotimin, me çka është thirrur policia dhe votimi për kohë të shkurtër është ndërprerë”,- tha Zlatko Dimitriovski nga “Most”.
Gjatë vëzhgimit në terren, “Most” raporton edhe për probleme teknike gjatë procesit të votimit. Në komunën e Shuto Orizares dhe komunën e Butelit, votimi është ndërprerë për shkak të mosfunksionimit të llambës ultra vjollcë.
Procesin zgjedhor Asociacioni “Most” po e vëzhgon me mbi 1000 vëzhgues.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
