MASH-MAQEDONI

Përfundon afati i parë në shkollat e mesme publike

27.06.2014 16:25

Në konkursin e parë të shkollave të mesme publike, që u realizua prej 23 deri më 24 qershor nga 22.058 semimaturant të vendit, janë paraqitur 17.982 nxënës, prej të cilëve 12.551 janë regjistruar........

Në konkursin e parë të shkollave të mesme publike,  që u realizua prej 23 deri më 24 qershor nga 22.058 semimaturant të vendit, janë paraqitur 17.982 nxënës, prej të cilëve 12.551 janë regjistruar.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, theksoi se nga 12.551 nxënës të regjistruar, 9547 janë për mësim në gjuhën maqedonase, 2.761 për paralelet në gjuhën shqipe, 143 për paralelet në gjuhën turke dhe 100 përsëritës.

 “Për paraqitjen e dytë të afatit të parë të regjistrimit, që do të realizohet më 30 qershor dhe 1 korrik, kurse rezultatet do të shpallen më 30 korrik, vende të lira ka gjithsej për 22.436 nxënës, prej të cilëve 15.001 janë për mësim në gjuhën maqedonase, 6.618 për mësim në gjuhën shqipe, 775 për mësim në gjuhën turke, 34 për mësim në gjuhën serbe dhe 8 vende të lira për nxënësit përsëritës. Ndërsa sipas llojit të arsimit, gjithsej 5756 vende të lira ka në gjimnaze, 16.632 në arsimin profesional dhe 48 vende të lira në Akademinë e Sportit”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi.

Ademi, njëherit potencoi që shkollimi i mesëm është detyrim i obligueshëm në pajtueshmëri me Ligjin për Arsimin e Mesëm, ndërsa apeloi deri te të gjithë maturantët që të përzgjedhin drejtime të cilat janë deficitare në vend.

“Gjatë regjistrimeve, gjithnjë duhet të kihet parasysh interesi personal dhe afinitetet ndaj një profesioni të caktuar, po edhe informatat për drejtimet deficitare në tregun e punës, gjegjësisht ato janë drejtimet teknike me të cilat më lehtë arrihet deri të angazhimi përkatës në punë pas formalizimit të procesit arsimor”, theksoi Ademi.

Afati i dytë i regjistrimit do të realizohet më 21 gusht, ndërsa shkollat, të cilat nuk i kanë plotësuar vendet e lira në afatet paraprake, do të vazhdojnë me regjistrimin deri në 29 gusht. (Zejxhane Osmani, TVM2)