Zgjedhjet lokale 2017, KShZ shpalli rezultatet e para

30.10.2017 10:55

Mbrëmë përfundoi rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni....

Mbrëmë përfundoi rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni. Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka shpallur rezultatet e para preliminare.

Kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski, tha se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve realizoi zgjedhjet lokale në pajtim me Kushtetutën, Ligjin zgjedhor dhe standardet europiane. “Kishim zgjedhje të qeta, fer dhe demokratike, në të cilat qytetarët kanë mundur lirshëm të shprehin vullnetin e tyre”,- vlerësoi mbrëmë kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski. Sipas rezultateve të para preliminare nga ana e Komisionit, LSDM në të dy rrethet zgjedhore ka fituar gjithsej 58 komuna: BDI 10, VMRO-DPMNE  5, Aleanca me Besë 4  dhe PDSh 1 komunë.

BDI në raundin e parë zgjedhor fitoi mandate për kryetarë komunash në Kërçovë dhe në Pllasnicë, ndërsa në raundin e dytë edhe në Çair, Tetovë, Saraj, Dibër, Dollnen, Likovë, Tearcë dhe Strugë. Aleanca për Shqiptarët i fitoi gjithsej tre mandate për kryetarë komunash, të gjitha në raundin e dytë dhe do t'i drejtojë komunat Bogovinë, Vrapçisht dhe Gostivar. BESA fitoi në Zhelinë, PDSh në Studeniçan, Partia Demokratike e Turqve në Qendrën e Zhupës, ndërsa kandidatët të cilët u propozuan nga një grup votuesish do t'i udhëheqin komunat Rankovc, Çuçer Sandevë dhe Bërvenicë.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve, LSDM fitoi në gjithsej  19 komuna: Butel, Gazi Babë, Kisella Vodë, Vinicë, Gradsko, Demir Kapi, Jagunovc, Karbinc, Makedonski Brod, Makedonska Kamenicë, Mogillë, Novaci, Probishtip, Rosoman, Nagoriçan i Vjetër, Çashkë, Çeshinovë Obleshevë, Shtip dhe Shuto Orizare. LSDM ka fituar gjithsej në 56  komuna. VMRO-DPMNE në raundin e parë fitoi në Ilinden, Petrovec dhe Sopishtë, ndërsa në të dytin në Zërnovc dhe Kavadar.