Lamtumira e fundit për Santon
Gjatë ditës së sotme, është përcjellë për në banesën e fundit Artan Santo, një nga bankierët dhe botuesit më të suksesshëm në Shqipëri, i cili u vra dje në një atentat mafioz në zemër të Tiranës.........

Gjatë ditës së sotme, është përcjellë për në banesën e fundit Artan Santo, një nga bankierët dhe botuesit më të suksesshëm në Shqipëri, i cili u vra dje në një atentat mafioz në zemër të Tiranës.
Vetëm pak metra larg institucioneve kryesore të Shtetit shqiptar, si Kryeministrisë, Kuvendit, Presidencës, Radio-televizionit Shqiptar, si dhe mjaft Ambasadave dhe Bankave, dy persona me motor pa targa, e kanë qëlluar në kokë, duke çuar në vdekjen e menjëhershme të tij. Në ato momente, Santo po hynte në bankën “Credins”, ku ishte drejtor ekzekutiv.
Ngjarja ka shkaktuar dhimbje dhe reagime te personalitete shqiptare, të cilët e kanë cilësuar një humbje të madhe vrasjen e 58 vjeçarit, Artan Santo.
Policia ka shoqëruar 15 persona, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të autorëve.
Shoferi i viktimës ka pohuar se një motor i ndiqte prej ditësh, por nuk kishte dyshuar.
Artan Santo, ishte babai i dy fëmijëve. Eksperienca e tij e parë si drejtues ka qenë në moshën 23-vjeçare, ndërsa që prej asaj kohe ka qenë në pozicione drejtuese, duke zhvilluar një karrierë mjaft të suksesshme në fushën e financave, si dhe ka qenë aksionar në disa media.
Kjo ngjarje është përdorur nga opozita për të deklaruar se asnjë nuk është i sigurt në Shqipëri, ndërsa deri më tani ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nuk ka dhënë asnjë prononcim.
Por, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka mbledhur urgjent krerët e Policisë, për të analizuar veprimet e Policisë gjatë dhe pas ngjarjes. (Luljeta Ndoka, TVM2)
