Maqedoni
Zgjedhjet lokale, rrjedhin afatet për ankesat e partive
30.10.2017 16:40
Me mbylljen e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale partitë politike pjesmarrëse në këto zgjedhje kanë afat prej 48 orësh...

Me mbylljen e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale partitë politike pjesmarrëse në këto zgjedhje kanë afat prej 48 orësh pas përfundimit të votimit të parashtrojnë ankesa në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Komisioni, nga ana tjetër, është i obliguar që në afat prej 48 orësh pas pranimit të ankesës të sjellë vendim.
Ndërkohë kundër vendimit të KSHZ-së, mund të parashtrohet padi në Gjykatën Administrative në afat prej 24 orësh nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë, nga ana tjetër, për ankesën obligohet të sjellë vendim në afat prej 48 orësh pas pranimit të saj. Çdo votuesi që i është shkelur e drejta personale për votim në procedurë mund të shtoj ankes në KSHZ në afat prej 24 orësh pas përfundimit të votimit.
VMRO-DPMNE-ja nuk ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesa te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, edhe pse nuk i pranon zgjedhjet lokale. Në lëvizjen ‘Besa’ do të bëjnë analizë të procesit zgjedhor dhe më pas do vendosin nëse do të paraqesin ankesa. Ndërkohë Aleanca për Shqiptarët ka paralajmëruar rreth 10 ankesa.
