BE, kritika Serbisë për emërimin e Llazareviqit

31.10.2017 10:51

Bashkimi Evropian paralajmëroi Serbinë se emërimi i një gjenerali....

Bashkimi Evropian paralajmëroi Serbinë se emërimi i një gjenerali, i cili ka qenë i dënuar për krime lufte, si ligjërues i një akademie ushtarake, është kundër parimeve të BE-së, ku Serbia synon të anëtarësohet.

Gjenerali i pensionuar, Vlladimir Llazareviq, është dënuar me 14 vjet burgim nga Tribunali për Krime Lufte i Kombeve të Bashkuara, për mizoritë e kryera nga trupat serbe në Kosovë, gjatë luftës së viteve 1998-99. Llazareviq është liruar në vitin 2015 pasi ka kryer dy të tretat e dënimit. Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq, deklaroi se blloku pret që "udhëheqësit politikë të respektojnë viktimat e konflikteve të kaluara dhe të promovojnë sinqerisht pajtimin në Ballkanin Perëndimor".

"Liderët politikë duhet t'i udhëheqin të gjitha përpjekjet për të kapërcyer trashëgiminë e vështirë të së kaluarës dhe për të nxitur besimin e ndërsjellë, dialogun dhe tolerancën", tha Kocijançiq. "Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, nuk mund të devijojë nga këto parime. Emërimi i një krimineli të dënuar për krime lufte në Akademinë Ushtarake të Serbisë është kundër këtyre parimeve", shtoi Kocijançiq. Ndërsa ligjërata e pare e Llazareviqit në akademi javën e kaluar ka qenë në temën "Heroizmi dhe humanizmi i ushtarëve serbë në mbrojtjen kundër agresionit të NATO-s".