Dita Ndërkombëtare e Kursimit, shumica e qytetarëve nuk arrijnë të kursejnë

31.10.2017 15:40

Të kursesh para është mision që vështirë realizohet....

Të kursesh para është mision që vështirë realizohet. Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se pse standardi i ulët dhe çmimet e larta e pamundësojnë një gjë të tillë.

Sipas tyre, me pagat mujore arrihet të përmbushen vetëm nevojat e domosdoshme për jetesë, ndërsa për kursime as që bëhet fjalë. Disa nga qytetarët thonë se më herët kanë pasur librezë kursimesh, ndërsa tani kanë vetëm kartela dhe kredi të shumta për mbijetesë.

“Asnjëherë, kurrë. Arsyet se pse nuk mund të kursejmë, nuk ka para, nuk kemi pasur deri tash librezë kursimi”,- theksoi një qytetar.

“Me këtë rrogë që ne e marrim është e vështirë të kursehet, sepse ka shumë shpenzime, kemi fëmijë që shkojnë në shkollë dhe kanë kërkesat e tyre, më parë kemi mundur të kursejmë, tani jo, kemi vetëm kartelat në minus”,- u shpreh një qytetar.

“Arsyeja është shtrenjtimi i madh, më parë kemi kursyer, por tani jo”,- tha një qytetar.

“Rrogën tani e marr dhe më datën 15 nuk mbetet asgjë, më parë kam pasur librezë kursimi, tani kam 15 kartela edhe pse rrogën e kam solide, 500 euro, nuk arrij të kursej”,- potencoi një qytetar.

Por, ka edhe qytetarë të cilët kanë arritur të kursejnë, duke shtuar se mendojnë për një të ardhme më të sigurt.

“Po, kam arritur të kursej, edhe atë për nevoja të shtëpisë, renovime dhe gjëra të tilla”,- theksoi një qytetar.

“Po, kemi librezë kursimi dhe kursejmë pak sa mundemi për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tonë”,- tha një qytetar.

Ndërkohë, bankat ofrojnë programe të ndryshme për kursim dhe u bëjnë thirrje qytetarëve t’i shqyrtojnë ofertat për të vendosur mënyrën më të mirë për kursim. (Flutura Latifi, TVM2)