Maqedoni
Rrjedh afati i ankesave, ASh me 13 ankesa, BESA po analizon procesin
31.10.2017 16:14
Aleanca për Shqiptarët ka dërguar 13 ankesa për parregullsi zgjedhore deri në KShZ...

Ankesat kanë të bëjnë kryesisht me vendvotimet në qytetin e Strugës dhe vendbanimeve për rreth ku, siç thonë nga kjo parti, është regjistruar thyerje e procesit zgjedhor.
“Kemi dërguar ankimime deri te organet kompetente edhe atë për vendvotimet në qytetin e Strugës edhe në rrethinën e qytetit të Strugës, sidomos në ato pjesë ku është përqendruar elektorati maqedonas edhe atë në këto vendvotime: në Radoshtë, në Morovishtë, në Draslavicë, në Oktisë dhe në Belicë të Poshtme. Gjithsej bëhet fjalë për 13 ankimime”,- deklaroi Naim Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët.
Në Lëvizjen BESA po bëjnë një analizë dhe më pas do të marrin vendim nëse dhe për cilat vendvotime do të paraqesin ankesa.
“Shërbimi juridik i partisë po analizon të gjitha vendvotimet veç e veç dhe në afatin e caktuar me ligj për parashtrimin e ankesave do të vendosë për hapat e mëtejmë”,- tha për TVM2 Faton Fazliu nga Lëvizja BESA.
Ndërkohë, në VMRO-DPMNE mbeten në qëndrimin se nuk do të paraqesin ankesa te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe se nuk i pranojnë zgjedhjet lokale.
Partitë politike kanë 48 orë afat për të ankimuar procesin zgjedhor në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Nëse palët nuk janë të kënaqur me vendimin e KShZ-së kanë të drejtë të ankohet në Gjykatën Administrative.
NAIM RAMADANI
