Ambasada e ShBA-ve: Zgjedhje të qeta, korrekte dhe demokratike

31.10.2017 16:22

Zgjedhjet lokale 2017, Ramadani: Me anomali të vogla, por të izoluara....

Institucionet relevante ndërkombëtare, zgjedhjet lokale në Maqedoni i vlerësojnë si të qeta, fer dhe demokratike. Ambasada amerikane në Shkup ka përgëzuar qytetarët e Maqedonisë të cilët ushtruan të drejtën e votës në zgjedhjet lokale të tetorit 2017.

“Përshëndesim konkluzat preliminare të OSBE/ODIHR-it se zgjedhjet ishin konkurruese dhe se respektimi i lirive themelore kontribuoi për një proces demokratik. Këto konkluza janë në pajtim me ato të ekipeve të Ambasadës të ShBA-ve që vëzhguan zgjedhjet në rrethin e parë dhe të dytë”,- thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane në Shkup.

Kjo përfaqësi diplomatike njëherit iu bëri thirrje qytetarëve që atje ku supozohet se ka dyshime për parregullsi dhe keqpërdorime, që ato raste t’i paraqesin, ndërsa autoritetet përkatëse t’i shqyrtojnë me përpikëri.

 “Po ashtu nxisim Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe autoritetet tjera qeveritare të shfrytëzojnë periudhën pas zgjedhjeve për t’i shqyrtuar rekomandimet e ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2016 dhe 2017. Kjo do të përforcojë proceset e ardhshme zgjedhore. Një qeveri lokale e fuqishme krijon bazat për një demokraci dinamike. Kryetarët dhe këshilltarët e sapozgjedhur të komunave i inkurajojmë të jenë të hapur dhe t’u përgjigjen kërkesave të qytetarëve në komunat që drejtojnë. Ambasada shpreson të vazhdojë bashkëpunimin me komunat, organizatat dhe qytetarët për të avancuar reformat kyçe në nivel lokal”,- thuhet në njoftimin e kësaj ambasade.

Ndërkaq, analistët politikë thonë se ka pasur anomali të vogla dhe raste të izoluara të cilat e kanë prishur imazhin e zgjedhjeve, por nuk kanë ndikuar në vlerësimin e përgjithshëm, se zgjedhjet kanë qenë të drejta dhe demokratike.

“Është e vërtetë që ka pasur anomali, ka pasur raste të izoluara të cilat e kanë prishur imazhin e zgjedhjeve me ndonjë incident, me ndonjë tentim të shit-blerjes së votës, mirëpo në vlerësimin e përgjithshëm kjo nuk ndikon në konkluzën se zgjedhjet kanë qenë demokratike, të lira, fer dhe për këtë Maqedonia do të marrë notë mjaft pozitive prej Brukseli dhe sigurisht pas asaj note pozitive do të pasojnë edhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me integrimet dhe reformat në Maqedoni”,- theksoi analisti politik, Ismet Ramadani.

Ecuria e procesit të zgjedhjeve do të ndikojë edhe në raport-progresin e KE-së për vendin tonë, vlerëson Ramadani. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)