Maqedoni
Fondacioni “Trajçe Mukaetov”, 39 bursa për studentët e Farmacisë dhe Mjekësisë
31.10.2017 16:45
Fondacioni “Trajçe Mukaetov” ndau 39 bursa për studentët e Farmacisë dhe të Mjekësisë në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”...

Bursat tradicionalisht për çdo vit i marrin studentët më të mirë të këtyre dy fakulteteve. Ata në 12 e muajt e ardhshëm do të marrin nga 6.500 denarë në muaj. Menaxhmenti i këtij fondacioni thotë se bursa kanë fituar studentë nga të gjitha etnitetet.
“Studentët që kanë përfituar bursat e fondacionit janë nga të gjitha etnitetet, në këtë grup ka edhe shqiptarë, por nuk e di numrin e saktë të tyre, pasi që nuk e kam parë listën në këtë mënyrë. Për ne është shumë me rëndësi që ata të jenë qytetarë të Maqedonisë, të plotësojnë kushtet dhe të tregojnë sukses të mirë. Qëllimi ynë si fondacion mbetet që të mbështesim studentët më të mirë që premtojnë shumë në fushën e mjekësisë dhe të ndihmojmë mjekësinë në përgjithësi”,- deklaroi Zhivko Mukaetov nga Fondacioni “Trajçe Mukaetov”.
Ky fondacion gjithashtu ndau dhe shpërblim në vlerë prej 1.200 eurosh për tre studentët më të mirë të gjeneratës së Fakultetit të Mjekësisë dhe të Farmacisë. Fondacioni “Trajçe Mukaetov” është themeluar nga Kompania Farmaceutike “Alkaloid” dhe prej vitit 2007 e deri më sot ka ndarë gjithsej 418 bursa. 63 studentë të diplomuar janë punësuar në këtë kompani.
REXHEP QAMILI
