Maqedoni

Qeveria premton transparencë, ministritë obligohen t’i bëjnë publike dokumentet

31.10.2017 17:00

Maqedonia vitin e kaluar mbante vendin e fundit në rajon sa i përket transparencës së qeverisë...

Ekzekutivi i ri angazhohet se do të jetë tërësisht transparente ndaj opinionit publik.
 
Për këtë qëllim janë obliguar ministritë që në afat prej 15 ditësh, në faqet e tyre të internetit, të publikojnë listë të 21 dokumenteve me qëllim të transparencës dhe llogaridhënie të organeve shtetërore para qytetarëve. 
 
"Analizat e bëra në vitin 2016 tregojnë se në pikëpamje të transparencës të pushtetit ekzekutiv në rajon, Maqedonia ndodhet në vendin e fundit me përmbushjen e vetëm 36 për qind të treguesve në hulumtimet… Transparenca e institucioneve paraqet kusht kyç për demokracinë. Në këtë mënyrë, qytetarëve u mundësohet të marrin informacione të nevojshme për pjesëmarrje të barabartë në jetën politike, pjesëmarrje në vendimmarrje dhe kërkesë të përgjegjësisë nga institucionet. Gjithashtu do të mundësojë që të gjitha palët e interesuara, përfshirë mediat,  pa pengesë  të bëjnë një analizë reale të punës së institucioneve”,- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damian Mançevski.
 
Seti i dokumenteve që do të bëhen  publike vlen për të gjitha ministritë, me përjashtim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat nuk do t'i publikojnë planet për furnizime publike, Rregulloren për organizim të brendshëm, Rregulloren për sistematizim të vendeve të punës dhe listën e punëtorëve.
 
Detyrimi për publikimin në faqet e internetit të ministrive nënkupton edhe  përditësimin e tyre të rregullt.
 
Lista të tilla të dokumenteve do të duhet të publikojnë dhe organet e tjera administrative, por ende po bëhen analiza rreth informacioneve të ndjeshme eventuale dhe të dhënave që mund të lidhen me institucione të caktuara.
 
ERSAN PAJAZITI