Maqedoni

Instituti i Shëndetit Publik: Uji në Gostivar, i mirë për pije

31.10.2017 17:08

Uji në Gostivar nuk ka as pesticide e as bakterie, por është mjaft i mirë për pije...

Këtë e tregojnë analizat e Institutit për Shëndet Publik, sipas të cilave uji i pijshëm në qytetin e Gostivarit është kualitativ dhe mund të përdoret për pije.

Uji për pije në Gostivar është në rregull në aspektin bakteriologjik, me përbërje të mirë fiziko-kimike dhe pa prani të pesticideve, tregojnë analizat e IShP-së, e cila mori mostra dhe bëri analizën e zgjeruar fiziko-kimike të ujit, pas rasteve të shumta të të sëmurëve me simptoma barkqitjeje dhe vjellje javën e kaluar.

Ende nuk dihet shkaku i dhjetëra të sëmurëve të paraqitur në repartin infektiv të Spitalit “Ferid Murad” në Gostivar. Mjekët që në fillim kanë hequr nga lista e arsyeve ushqimin, pasi të sëmurët nuk kishin frekuentuar ndonjë vend të përbashkët. Pas analizave të IShP-së, edhe uji hiqet si një nga shkaktarët e infektimit.