Maqedoni

Zgjedhjet lokale, rrjedh afati për kundërshtime në KShZ

31.10.2017 17:50

Në orën 19 mbaron afati për parashtrimin e kundërshtimeve për procesin zgjedhor

Në orën 19 mbaron afati për parashtrimin e kundërshtimeve për procesin zgjedhor, ndërkaq për mbledhjen e rezultateve ky afat vlen deri në orën dy pas mesnate.
 
KShZ njoftoi se deri në orën 15 partitë politike nuk kanë dorëzuar në KShZ asnjë kundërshtim për procesin zgjedhor, madje as VMRO-DPMNE, e cila deklaroi se nuk i njeh këto zgjedhje, pasi i cilësoi si zgjedhje të parregullta dhe jodemokratike. 
 
“Deri në këto çaste në KShZ nuk ka arritur asnjë kundërshtim nga partitë politike. Dëshirojmë që të ritheksojmë se kundërshtime mund të parashtrojnë për mënyrën dhe rrjedhën e procesit deri në orën 19 të ditës së sotme, si dhe mund të parashtrojnë ankimimet e tyre për sumimin e rezultateve, për të cilën afati është 48 orë, respektivisht deri në orën dy të mëngjesit të ditës së mërkurë”,- deklaroi zëdhënësja e KShZ-së, Arjeta Xhemaili.
 
Mirëpo, bazuar në praktikën e deritanishme, partitë politike i dorëzojnë kundërshtimet në orët e fundit para mbarimit të afatit.
 
Në bazë të Kodit Zgjedhor, KShZ duhet t’u përgjigjet të gjitha kundërshtimeve në afat prej 48 orësh.
 
Partitë të cilat nuk do të jenë të kënaqura me vendimet e KShZ-së, do të mund të ngrenë padi në  Gjykatën Administrative, në afat prej 24 orësh, ndërkaq Gjykata është e obliguar që të vendosë për paditë në afat prej 48 orësh.
 
SHPËTIM NUREDINI