Ekonomi

Dita Botërore e Kursimit, bankat të kënaqura, rritet niveli i kursimit

31.10.2017 18:12

Në Ditën Botërore të Kursimit, guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov...

Në Ditën Botërore të Kursimit, guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov, vlerëson se pavarësisht kushteve të këqija në të cilat ka funksionuar ekonomia dhe sektori bankar, është arritur një rritje e mirë e kursimeve dhe kreditimit.
 
Qytetarët në bankat e Maqedonisë ruajnë  222 miliardë denarë, ndërsa kompanitë 80 miliardë.
 
51% e depozitave janë në denarë, thotë  Bogov, i cili është shprehur i kënaqur që krahas normave të ulëta të interesit, kursimet kanë shënuar  rritje.
 
“Edhe një herë qytetarët treguan besueshmëri të lartë tek sistemi bankar. Kursimet e qytetarëve kanë regjistruar rritje prej 6% në nivel vjetor, kjo është solide, duke marrë parasysh se në çfarë ambienti u shënua kjo rritje, presim që në një ambient më të qetë shkallja e rritjes të jetë edhe më e madhe, gjithashtu presim edhe vazhdimin e trendit të kursimit në denarë dhe rritjen e besimit në valutën vendore”,- deklaroi guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.
 
Ministri i Financave, Dragan Tevdovski, kërkoi që bankat të japin më shumë kredi për ekonominë. Ai tha se kursimet e brendshme janë burimi më i lirë për kreditimin e ekonomisë dhe presin rritje të kursimit.
 
“Stabilizimi i situatës politike ndikon në rritjen e kursimeve edhe të qytetarëve edhe të kompanive. Presim që në periudhën e ardhshme të ketë rritje të kursimeve, gjithashtu edhe në aspekt të Ministrisë së Financave kjo është e rëndësishme që këto kursime më shumë të plasohen tek kompanitë. Bankat të marrin guximin dhe më shumë të japin kredi tek kompanitë të cilat do të investojnë”,- u shpreh ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
 
Nga  Shoqata e Bankave në Odën Ekonomike i kërkojnë qytetarëve të  kursejnë sa më tepër në banka.
 
GAZMEND KURTISHI