Shqyrtohen kandidaturat për prokuror të ri publik
Këshilli i prokurorëve publik sot do të mbajë mbledhje....

Këshilli i Prokurorëve Publik sot do të mbajë mbledhje në të cilën do t’i shqyrtojë paraqitjet e parashtruara në konkursin për Prokuror Publik të Republikës së Maqedonisë.
Pas mbledhjes, siç theksohet në kumtesë, Këshilli do të japë mendim për të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs që i përmbushin kushtet në pajtim me ligjin. Qeveria më 20 tetor i parashtroi aplikimet e kandidatëve për Prokuror Publik në Këshillin e Prokurorëve Publik.
Në konkursin për Prokuror Publik të shtetit janë paraqitur 23 kandidatë. Këshilli i Prokurorëve Publik me kërkesë të Qeverisë në afat prej 15 ditëve duhet t’i parashtrojë mendim pozitiv apo negativ në formë me shkrim për të gjithë kandidatët e paraqitur në konkurs që i plotësojnë kushtet në pajtim me ligjin. Qeveria, ndërkaq, më pas, në Parlament parashtron propozim për emërim të Prokurorit Publik nga kandidatët e paraqitur, për të cilët Këshilli ka dhënë mendim pozitiv.
Në rast se Këshilli i prokurorëve publik në afat prej 15 ditëve nëse nuk jep mendim për kandidatët e propozuar, rrjedhin 15 ditë të reja. Nëse edhe atëherë nuk deklarohet, atëherë konsiderohet se mendimi i Këshillit është pozitiv. Nëse Këshilli për asnjërin prej kandidatëve nuk jep mendim pozitiv, atëherë Qeveria mund t’i propozojë Kuvendit ta përsërisë konkursin.
Për emërim të Prokurorit Publik Kuvendi vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votave. Mandati i Prokurorit Publik të shtetit është gjashtë vite me të drejtë të emërimit të sërishëm. Prokurori i ri i shtetit duhet të vijë në vendin e Marko Zvërlevskit, i cili u shkarkua nga Kuvendi më 17 gusht të këtij viti.
Deri në emërimin e Prokurorit të ri publik, funksionin përkohësisht e kryen Liljana Spasovska.
