Trump urdhëron “verifikim ekstrem” të migrantëve pas sulmit në Nju Jork

01.11.2017 13:01

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar “verifikim ekstrem” të migrantëve.....

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar “verifikim ekstrem” të migrantëve, pasi policia e ka arrestuar një shtetas nga Uzbekistani, si të dyshuar për atë që ajo e vlerëson si “sulm terrorist”, nga i cili dje u vranë tetë persona në qytetin Nju Jork.

Ky ishte sulmi i parë i tillë në Nju Jork prej 11 shtatorit të vitit 2001 dhe hera e parë që në Shtetet e Bashkuara është ndërmarrë një sulm i tillë me makinë, i ngjashëm me ato që kanë ndodhur në Europë.

“Posa e kam urdhëruar Departamentin e Sigurisë për ta shtuar Programin e Verifikimit Ekstrem. Duke qenë korrekt politikisht është mirë, por jo për këtë”,- ka shkruar presidenti Trump në rrjetin Twitter, pasi më parë tha se sulmi ishte kryer nga “një person shumë i sëmurë dhe i çmendur”.

Policia e Nju Jorkut tha se i dyshuari, të cilin policia e kishte qëlluar dhe arrestuar në vendin e ngjarjes, e kishte shfrytëzuar një kamion të vogël të huazuar për t’i goditur këmbësorët dhe çiklistët në një rrugicë afër vendit ku dikur qëndronte Qendra Botërore e Tregtisë.