Tetë të vdekur nga sulmi në Nju Jork, autoritetet: Akti frikacak, terror ndaj civilëve

01.11.2017 14:45

Tetë është numri i viktimave nga sulmi i mbrëmshëm në Nju Jork....

Tetë është numri i viktimave nga sulmi i mbrëmshëm në Nju Jork, 11 të tjerë u lënduan teksa një kamion goditi qytetarët në një zonë çiklistësh në Manhatan. Në mesin e viktimave janë pesë argjentinas, pjesë e një grupi prej 10 miqsh që kishin shkuar në Nju Jork për të festuar përvjetorin e 30 të diplomimit. Edhe një shtetase belge është në mesin e viktimave.

Departamenti i Policisë në Nju Jork tha se kamioni ka goditur çiklistët dhe kalimtarët, përpara se të godiste një automjet tjetër, dhe se më pas shoferi ka dalë jashtë, ka vrapuar rretheqark dhe u dëgjuan edhe të shtëna armësh. Policia qëlloi dhe arriti të plagosë autorin që është në paraburgim aktualisht.

Ai është identifikuar si  Sayfullo Saipov, emigrant i cili ka shkuar në ShBA në vitin 2010. 27 vjeçari, me prejardhje nga Uzbekistani, gjatë sulmit ka thirrur “Allahu Akbar” (Zoti është i madh).

“Ishte një makinë që i ndiqte çiklistët me shpejtësi. U përplas njëherë me autobusin, pastaj doli nga makina, dukej sikur qe armë, policia e ndoqi dhe filloi të qëllojë”,- deklaroi dëshmitari okular, Xheremi Moler.

Sulmi ka ndodhur vetëm disa blloqe larg Ground Zero, vendit që të gjithë njujorkezëve u kujton sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001. Zyrtarët e klasifikuan atë si akt terrorist.

“Ishte një akt terrori, një akt frikacak që synonte civilët e pafajshëm që po shëtisnin, pa pasur një ide se çfarë do ju ndodhte. E dimë se ky veprim ka pasur qëllim të thyejë shpirtin tonë. Por, e dimë po ashtu se njujorkezët janë të fortë dhe ne nuk do të thyhemi kurrë nga një akt i dhunës”,- tha kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill De Blasio.

Presidenti, Donald Trump, në Twitter shkroi: “Nuk duhet t’i lejojmë ISIS-it të kthehet ose të hyjë në vendin tonë, pasi është mposhtur në Lindjen e Mesme dhe gjetkë. Mjaft!”. Policia gjeti një shënim në kamionin, në të cilin kishte një referim për “Shtetin Islamik”.

Presidenti Trump ka urdhëruar “verifikim ekstrem” të emigrantëve. Ky ishte sulmi i parë i tillë në Nju Jork prej 11 shtatorit të vitit 2001 dhe hera e parë që në Shtetet e Bashkuara është ndërmarrë një sulm i tillë me makinë, i ngjashëm me ato që kanë ndodhur në Europë. (Gazmend Rexhepi, TVM2)