JANUZAJ-BELGJIKA

Debuton Januzaj, Belgjika e Alegjeria në 1/8 e finales

27.06.2014 17:50

Ishte i vetmi shqiptar që kishte mbetur pa i shijuar ndeshjet e Botërorit, por ja që më nuk ka asnjë. Adnan Januzaj ka debutuar dje në fanellën e Belgjikës në Botërorin “Brazili 2014”, në fitoren 1:0 ndaj Koresë së Jugut, për ta kompletuar 7-shën shqiptare në këtë eveniment......

Ishte i vetmi shqiptar që kishte mbetur pa i shijuar ndeshjet e Botërorit, por ja që më nuk ka asnjë. Adnan Januzaj ka debutuar dje në fanellën e Belgjikës në Botërorin “Brazili 2014”, në fitoren 1:0 ndaj Koresë së Jugut, për ta kompletuar 7-shën shqiptare në këtë eveniment.

Belgjika, që tashmë e kishte siguruar kualifikimin, ua ka dhënë mundësinë disa lojtarëve të rinj të futen në ndeshje dhe njëri ndër ta ishte Januzaj. Edhe pse ishte paraqitja e parë e 19-vjeçarit nga Istogu, ajo vlerësohet e mirë, duke shpresuar se në fushë do ta shohim edhe në ndeshjet e ardhshme. Në takimin tjetër të kësaj mbrëmje, Algjeria dhe Rusia kanë luajtur baras, gjë kjo që u ka konvenuar algjerianëve të kualifikohen në 1/8 e finales së këtij Botërori. Algjeria për kundërshtar do ta ketë Gjermaninë.

Tri ndeshje, tri fitore për belgët

Belgjika, e vetëdijshme se gjithçka ka përfunduar sa i përket fazës së grupeve, pasi që e kishte siguruar vendin e parë më herët, në fushë ka hyrë me disa ndryshime. Kjo edhe i dha mundësi trajnerit Marc Wilmots për të bërë disa ndryshime taktike, pjesë e së cilave ishte pikërisht futbollisti i Manchester United-it, Adnan Januzaj. Fraksioni i parë nuk dha ndonjë shfaqje shumë të mirë, derisa duhet pranuar që mungesa e mesfushorit Eden Hazard ishte e dukshme, ndërsa për t’ua vështirësuar edhe më shumë punën belgëve u përkujdes Steven Defour, i cili u përjashtua me karton në kuq në minutën e 45-të të ndeshjes, por as kjo nuk i pengoi belgët të shënojnë fitore me golin e Jan Vertonghen në minutën e 78-të, i cili edhe doli të jetë vendimtar.

Algjeria vazhdon tutje

Ishte fitorja ajo që e dërgonte përpara, por nuk e arritën. Kjo është Rusia, që bashkë me Koren e Jugut i dhanë lamtumirën Botërorit. Rusia luajti baras 1:1 me Algjerinë. Alexander Kokorin ishte ai që e dërgoi Rusinë në epërsi me golin e hershëm që e shënoi në minutën e 6-të dhe u mendua që do të jenë ata që do të vazhdojnë më tutje, por në pjesën e dytë një gol i Islam Slimanit në minutën e 60-të ishte i mjaftueshëm që algjerianët të ecin përpara.