Arrestohet Sokol Mitrevski, akuzohet për keqpërdorim detyre

01.11.2017 15:16

Ish-kryetari i komunës Gjorçe Petrov, Sokol Mitrevski, është arrestuar....

Ish-kryetari i komunës Gjorçe Petrov, Sokol Mitrevski, është arrestuar. Prokuroria Themelore Publike e akuzon atë për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me ndryshimin e planeve hapësinore dhe dhënies së tokës me koncesion disa individëve me çmim shumë të ulët. Prokuroria Themelore Publike tashmë ka ngritur procedurë hetuese për këtë rast.

“Për shkak të ekzistimit të dyshimit, Prokuroria Themelore Publike ndërmerr veprime kundër disa persona të involvuar, të cilët kanë mundësuar, në disa raste, privatizim të paligjshëm të tokës në pronësi të një komune. Privatizimit i ka paraprirë procedura për vërtetimin e statusit të objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, e cila është realizuar në kundërshtim me ligjin. Si rezultat i kësaj procedure, është kryer legalizimi i objekteve dhe privatizimi i tokës. Me këtë është mundësuar që toka të blihet me çmim prej 1 eurosh për metër katrorë, ndërsa çmimi i tregut për licitacion në procedurë të rregullt  do të ishte dukshëm më i lartë”,- thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike.

Jozyrtarisht nga burime policore mësohet se bashkë me Mitrevskin në mëngjes janë arrestuar edhe tetë bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, të punësuar në këtë komunë, të cilët e kanë ndihmuar Mitrevskin të bëjë privatizimin e paligjshëm të tokës.

Sokol Mitrevski ishte kryetar i komunës së Gjorgje Petrovit nga radhët e VMRO-DPMNE prej vitit 2005 deri më 2017. (Rexhep Qamili, TVM2)