“Bombat” si dëshmi për rastin “Tender”, Apeli 24 orë afat t’i kthejë përgjigje PPS-së

01.11.2017 15:32

Gjykata e Apelit mbajti seancën publike për të shqyrtuar ankesën e PPS-së....

Gjykata e Apelit mbajti seancën publike për të shqyrtuar ankesën e PPS-së pas vendimit të Gjykatës Penale që t’i hedh poshtë bisedat e përgjuara si dëshmi në rastin “Tender”.

Në këtë lëndë të Speciales akuzohet ish-ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska – Milevska, dhe dy persona tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë ndërtimit të Muzeut të VMRO-së. Kançevska nuk u paraqit në Gjykatë.

Mbrojtja këmbëngul se të akuzuarve iu është shkelur e drejta e privatësisë dhe se materialet janë siguruar në mënyrë joligjore. Avokati, Elenko Milanov, tha se mbrojtjes i konvenon që “bombat” të jenë dëshmi, por ai nuk mund të veprojë në kundërshtim me ligjet.

“Në pajtueshmëri me ligjin, tek PPS ekziston e drejta që të hulumtohet, respektivisht kjo është bazë dhe duke u bazuar në përgjimet mund të vendoset se a do të kërkohen eventualisht dëshmi për vërtetimin e ndonjë veprimi kriminel. Nëse sigurohen dëshmi për krim, atëherë le të ketë procedurë, por në asnjë rast të mos bazohet në këtë. Nëse e lexoni nenin 5 të ligjit të PPS-së, aty thuhet të hulumtojë dhe jo t’i shfrytëzojë dhe t’i prezantojë para Gjykatës”,- deklaroi avokati mbrojtës, Elenko Milanov.

Tashmë Apeli ka 24 orë t’i kthejë përgjigje Speciales. PPS këmbëngul se vendimi i Gjykatës Penale është i paqartë dhe i palogjikshëm. Kërkojnë që po ashtu Gjykata e Apelit të marrë parasysh edhe qëllimin e formimit të PPS-së, që është pikërisht hulumtimi i këtyre xhirimeve. Apeli tashmë në 2 raste ka pranuar që të ashtuquajturat “bomba” të përdoren si dëshmi, e këto janë rastet “Shuplaka në Qendër”  dhe “Treqind”. (Flutura Latifi, TVM2)