Maqedoni

Zgjedhja e kryeprokurorit të ri, Këshilli i Prokurorëve shqyrton aplikimet

01.11.2017 15:54

Këshilli i Prokurorëve po shqyrton aplikimet e kandidatëve në konkursin për kryeprokuror shtetëror...

Këshilli i Prokurorëve po shqyrton aplikimet e kandidatëve në konkursin për kryeprokuror shtetëror, të cilat Qeveria ua dorëzoi më 20 tetor për të vendosur se cili nga 23 kandidatët e paraqitur i plotëson kushtet ligjore për të qenë kryeprokurori i ri i Maqedonisë.
 
Këshilli i Prokurorëve me kërkesë të Qeverisë në afat prej 15 ditëve duhet të dorëzojë mendimet për të gjithë kandidatët e paraqitur, e më pas  pason propozimi i qeverisë në Kuvend për emërimin e kryeprokurorit të ri. Në rast se Këshilli i Prokurorëve në 2 afat prej 15 ditësh nuk deklarohet lidhur me kandidatët, atëherë besohet se mendimi i Këshillit të Prokurorëve ka qenë pozitiv. Ndërkaq, në qoftë se mendimi është negativ për të gjithë kandidatët, atëherë Qeveria i propozon Kuvendit të përsërisë konkursin.
 
Për emërimin e kryeprokurorit Kuvendit i duhen 61 vota, ndërkaq mandati i të njëjtit është 6 vite me të drejtë për riemërim. Kryeprokurori i ri duhet të zërë vendin e Marko Zvrlevskit, të cilin Kuvendi e shkarkoi më 17 gusht të këtij viti. Për momentin ushtruese e detyrës së kryeprokurorit republikan është prokurorja, Liljana Spasovska.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI