Maqedoni
(O)Pozita qeveritare, temë në “Argument”, panelistët: të sqarojnë kush është opozitë e kujt
01.11.2017 16:31
Partitë politike dhe njerëzit duhet t’i bashkojnë idetë e jo rezultatet e zgjedhjeve...

Kështu e vlerësojnë panelistët në “Argument” në TVM2 Aleancën me Besë, koalicionin e formuar për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Sipas tyre, partitë politike shqiptare përfundimisht duhet të vendosin nëse janë parti në qeveri apo në opozitë.
“Ka një lajthitje në veprimin opozitar shqiptar në Maqedoni, jo tani por edhe më herët, për arsye se kauzat opozitare nga një herë gabimisht vendosen në terrene të gabuara edhe në terrene të huaja, madje sepse ne do të duhet një herë e përgjithmonë të dimë qartë se opozitë e kujt jemi ne, sepse ka një përshkallëzim të veprimit opozitar. Ndonjëherë dikush është opozitë e partisë shqiptare, por jo edhe e pushtetit”,- deklaroi opinionisti, Emin Azemi.
“Kjo është absurditeti i opozitës tonë, këndej thonë jam opozitë, këndej është në pushtet, këndej nuk do ta lëshon pushtetin, këndej del në front opozitar me palën tjetër. Partitë shqiptare duhet të bëjnë opozitë dhe që sot e sa më parë, e jo kur të vjen momenti në prag të zgjedhjeve, mund të jetë vonë. Ne shqiptarët nuk kemi kapacitet, forcë elektorale të durojmë më shumë se dy parti”,- u shpreh profesori universitar, Mersim Maksuti.
Për Maksutin, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të panevojshme, sepse Maqedoninë e presin procese të cilat nuk kanë kohë për të pritur.
“Ne nuk mund të kemi më zgjedhje çdo vjet, çdo dy vjet të përsërisim atë praktikën e vjetër të Gruevskit me qëllim të vetëm, zgjatjen e pushtetit të tij. Jo, Maqedoninë e presin sfida të mëdha, e presin procese të cilat janë edhe ashtu të prapambetura që është dashur më herët të zhvillohen. Ta zgjidh emrin me Greqinë, të hapë çështjen e bisedimeve të anëtarësimit dhe besoj se shpejt mund të ndodh edhe procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO”,- tha profesori universitar Mersim Maksuti.
Azemi, ndërkohë, thotë se qeveria ka kapacitet për reformat e kërkuara, edhe pse ende nuk dihet nëse Aleanca do të qëndrojë apo jo pjesë e shumicës qeveritare, meqë deklaratat nga vetë partia janë kundërthënëse.
“Nuk shohim ndonjë disponim të Aleancës për Shqiptarët për dalje nga qeveria, edhe pse aty ka disa qëndrime të dyzuara. Kemi dy deklarata, p.sh. një deklaratë të Taravarit dhe të shefit të tyre të shtabit zgjedhor, të cilët flasin për mundësinë e rizgjedhjes së pasuesit të ministrit të Shëndetësisë ... kemi një deklaratë krejt tjetër nga Sela, i cili angazhohet për zgjedhje të parakohshme dhe thotë se do të jemi opozitë e fuqishme e BDI-së në zgjedhjet. Por, sido që të jetë, mendoj se qeveria i ka të gjitha kapacitetet e veprimit institucional për t’i çuar reformat dhe gjitha këto nismat që i ka nisur... vazhdimin e konsolidimit politik, gjyqësor, institucional, reformat e kështu me radhë”,- theksoi opinionisti, Emin Azemi.
Sipas tyre, tani ekziston vullnet politik jo vetëm për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit, por edhe për të hapur edhe shumë çështje të tjera në dobi të shqiptarëve. Por, me rëndësi, sipas tyre, është që bilanci i zgjedhjeve lokale ka krijuar një stabilitet politik dhe institucional në Maqedoni.
SANIJE DURAKU
