Maqedoni

Skadon afati i ankesave në KShZ, ASh me 13 ankesa dhe BESA me 89 ankesa

01.11.2017 17:01

Në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve janë deponuar gjithsej 103 ankimime nga tre parti politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e fundit lokale...

Ankesat kanë të bëjnë kryesisht me vendvotimet në qytetin e Strugës, Tetovës dhe komunën e Çairit lidhur me procesin e votimit, mbledhjen dhe vërtetimin e rezultateve, njofton nga KShZ.
 
“Deri te KShZ janë dorëzuar gjithsej 103 ankesa nga tre parti politike edhe atë 89 ankesa nga Lëvizja BESA, të cilat kanë të bëjnë me procesin e votimit, mbledhjen dhe vërtetimin e rezultateve në komunat Çair dhe Tetovë. Kemi 13 ankesa të dorëzuara nga partia Aleanca për Shqiptarët, të cilat gjithashtu kanë të bëjnë me procesin e votimit, mbledhjen dhe vërtetimin e rezultateve në komunën e Strugës dhe një ankesë nga Lidhja Popullore e Maqedonisë për komunën e Çashkës”,- deklaroi Ljupka Guguçeska nga KShZ.
 
Shërbimi juridik i KShZ-së po kontrollon bazën dhe dëshmitë e dorëzuara, ndërkaq kur të përfundojë e gjithë kjo KShZ do të caktojë mbledhje të hapur ku do t’i shqyrtojë dhe do të sjellë vendim në lidhje me to.
 
KShZ ka afat prej 48 orëve për të shqyrtuar ankesat e parashtruara nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale. Nëse palët nuk janë të kënaqura me vendimin e KShZ-së kanë të drejtë të ankohet në Gjykatën Administrative.
 
NAIM RAMADANI