Maqedoni
Konstatohen dorëheqjet e shtatë deputetëve, shtatë deputetë të rinj hyjnë në Kuvend
01.11.2017 17:33
Kuvendi verifikoi, njëzëri, mandatet e shtatë deputetëve të rinj në Kuvendin republikan...

Meral Uzeiri Ferati, Rexhep Memedi, Tatjana Llallçevska, Aneta Simeska - Dimovska, Lidija Tasevska, Riste Tashev, dhe Konstantin Konstatinov janë deputetët e rinj të Kuvendit, të cilët plotësojnë vendet vakante që krijuan zgjedhjet lokale.
“Konstatoj se raportet dhe propozimi i Komisionit për mandate dhe imunitete janë miratuar dhe se me këtë është kryer verifikimi i mandateve të deputetëve: Tatjana Llallçevska, Aneta Simeska Dimovska, Lidija Tasevska, Riste Tashev, Konstantin Konstatinov, Meral Uzeiri Ferati dhe Rexhep Memeti”- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Paraprakisht, Kuvendi konstatoi dorëheqjet e shtatë deputetëve, prej të cilëve pesë ish-deputetë të LSDM-së, një i PDSh-së dhe një i Lëvizjes BESA.
Përkatësisht, kuvendi konstatoi dorëheqjen e deputetit, Petre Shilegov, Stefan Bogoev, Maksim Dimitrievski, Sasho Pockov dhe Kosta Janevski, të gjithë nga LSDM, si dhe dorëheqjen e Bardhyl Dautit të PDSh-së dhe Zeqirja Ibrahimit të Lëvizjes BESA.
Në seancën e parë pas zgjedhjeve lokale, Kuvendi ratifikoi edhe Propozim-vendimin për ndryshimin e Vendimit për dërgimin e pjesëtarit të Armatës së Republikës së Maqedonisë për pjesëmarrje në operacionin paqësor të Kombeve të Bashkuara, UNIFIL, në Liban.
SHPËTIM NUREDINI
