Maqedoni
Rasti i Almir Aliut, refuzohen tre dëshmitarë të rinj, reagon mbrojtja
01.11.2017 17:44
Në seancën e sotme gjyqësore të Rastit “Almiri”, avokatët mbrojtës të familjes Aliu...

Në seancën e sotme gjyqësore të Rastit “Almiri”, avokatët mbrojtës të familjes Aliu shprehen të pakënaqur pasi që prokuroria pas më shumë se një viti ka sjellë video prova të reja, kurse nga ana tjetër Gjyqi ka refuzuar tre dëshmitarë të ri, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes natën e kobshme kur familja treanëtarëshe Aliu u përplas me makinë nga i akuzuari, Boban Iliq, me ç’rast si pasojë humbi jetën vogëlushi katërvjeçar, Almir Aliu. Avokatët mbrojtës, Asmir Alispahiq dhe Ibrahim Bajrami, dyshojnë se mos po merr kahje krejt tjetër procesi gjyqësor, i cili tashmë është në përfundim e sipër.
“Sot u prezantua dëshmia si procedurë plotësuese e dëshmisë së propozuar nga ana e Prokurorisë Themelore Publike, kurse e pranuar nga ana e Gjyqit. Bëhet fjalë për video-dëshmi të përgatitur nga ana e SPB-së së Kumanovës, me kërkesë të Prokurorisë Themelore Publike. Por, ajo që habit është se kjo video-material është i përgatitur me vonesë prej më se një viti nga ngjarja e pakëndshme”,- deklaroi avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq.
“Sot ishim dëshmitarë të thyerjes së rëndë të normave të procedurës penale, me ç’rast në mënyrë të pakuptimtë u refuzuan tre dëshmitarët e propozuar nga ana jonë, që ne mendonim se me dëshmitë e tyre do të vërtetohet gjendja faktike ashtu si ka ndodhur rasti, kurse nga ana tjetër u pranuan provat e prokurorisë, të cilat sipas mendimit tonë do të shkojnë në favor të të akuzuarit, Boban Iliq, të cilat prova as nuk janë të ligjshme e as të siguruara në kohë”,- tha avokati i familjes Aliu, Ibrahim Bajrami.
Seanca e radhës, kur edhe pritet të jepet fjala përfundimtare, është caktuar për më 15 nëntor.
NEXHAT AQIFI
