Gjykata Penale sot duhet të kumtojë aktgjykimin për “Lagjen e trimave”

02.11.2017 09:28

Gjykata Penale e Shkupit sot duhet ta kumtojë aktgjykimin për ngjarjet në "Lagjen e trimave" në Kumanovë....

Gjykata Penale e Shkupit sot duhet ta kumtojë aktgjykimin për ngjarjet në “Lagjen e trimave” në Kumanovë, ku në maj të vitit 2015 gjatë përleshjes së Forcave të Sigurisë dhe një grupi të armatosur, jetën e humbën tetë pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Maqedonisë dhe dhjetë persona të grupit të armatosur.

Aktgjykimi për këtë rast duhej të sillej më 17 tetor, por u anulua për shkak të zgjedhjeve lokale me kërkesë të MPB-së.

Prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm për të gjithë 37 të akuzuarit për terrorizëm dhe organizim terrorist. Avokatët e të akuzuarve, nga ana tjetër, kërkojnë lirimin e tyre, pasi që sipas tyre ka mungesë të dëshmive për vepër të kryer penale.

Më 9 dhe 10 maj 2015, në “Lagjen e trimave” të Kumanovës një grup i armatosur u përplas me forcat e sigurisë. Në të shtënat jetën e humbën tetë policë të njësiteve speciale dhe të veçanta të MPB-së, ndërsa katërmbëdhjetë u lënduan rëndë. U vranë edhe dhjetë persona të grupit të armatosur.

Në lidhje me gjykimin e sotëm avokatja mbrojtëse e të akuzuarve në "Lagjen e trimave", Artene Ademi, u shpreh se nuk pret vendim të drejtë.

"Prej një procesi të padrejtë, nuk pres vendim të drejtë",- tha Ademi para Gjykatës Supreme. MPB kumtoi se për shkak të mbajtjes së seancës gjyqësore për “Lagjen e trimave” komunikacioni rreth objektit të Gjykatës Themelore - Shkup përkohësisht do të rikahëzohet.