Ekonomi
Buxheti për vitin 2018, 3,44 miliardë euro. Paga më të larta në ARM, shëndetësi dhe arsim
02.11.2017 14:24
Propozim - buxheti për vitin 2018 është projektuar të jetë 211,7 miliard denarë, apo 3,44 miliard euro...

Parashihet të hyrat të kapin 193, 5 miliard denarë, ndërsa deficiti buxhetor të mbërrijë në 18,2 miliard denarë, apo 2,7% nga bruto prodhimi i brendshëm, derisa të hyrat kapitale janë paraparë të sigurohen prej 24,7 miliard denarë. Këto të dhëna u shpalosën sot në debatin publik në Ministrinë e Financave, ku njëherit u potencua se në propozim - buxhetin për sivjet do të ketë rritje të të hyrave për 4,7% krahasuar me vitin 2017, ndërsa shpenzimet do të jenë për 4,1% më shumë se vitin që po e lëmë pas.
Ministri i Financave, Dragan Tevdoski, me këtë rast tha se në buxhetin e paraparë është menduar edhe konsolidimi i politikës fiskale. Pagat janë projektuar të kapin shumën prej 27,1 miliard denarë, ku do të ketë rritje prej 460 milion denarëve për ngritjen e pagave për të punësuarit në ARM, në arsim, shëndetësi, si dhe për pensionet. Pagat me rritje do të merren për këto kategori nëpunësish në shtator 2018, theksoi ministri Tevdoski.
“Pjesa më e madhe e rritjes së të hyrave është përcaktuar për pensionet, mbrojtjen sociale të fëmijëve, 19% për zhvillim ekonomik, 15% për shëndetësi, 11% për arsim, kulturë dhe sport, nga 5% ndërtimtari, transport, komunikim dhe ekologji. 3% për mbrojtje, nga 2% për politikë të jashtme dhe eurointegrime dhe nga 1% rritje për gjyqësorin dhe zhvillimin rajonal”,- deklaroi ministri i Financave, Dragan Tevdovski.
Tevdovski tha se me zhvillim ekonomik do të kontribuohet edhe në rritjen e pagave për sektorë të tjerë, ndërkaq për pagën e trembëdhjetë tha se nuk ka mjete të parapara në projekt – buxhetin, po në qoftë se krijohen kushtet, kjo do të mund të bëhet me rebalanc buxhetor. Ministri Tevdovski po ashtu bëri të ditur se nga 1 janari i vitit të ardhshëm Qeveria planifikon ta shtrenjtojë akcizën e naftës për 3 denarë.
Shkak për rritjen e akcizës, siç tha Tevdovski, janë rekomandimet e BE-së për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe uljen e ndotjes. Por, ministri tha se qytetarët mund të jenë të qetë, sepse nuk do të ketë lëvizje të inflacionit.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
