Botë

Sulmet kimike në Siri përplasin ShBA-të dhe Rusinë

02.11.2017 15:32

Shtëpia e Bardhë kërkoi nga Rusia që të ndalojë përpjekjet për të penguar rinovimin e autoritetit të një organi...

Shtëpia e Bardhë kërkoi nga Rusia që të ndalojë përpjekjet për të penguar rinovimin e autoritetit të një organi hetues të Kombeve të Bashkuara, i ngarkuar për të përcaktuar se kush është përgjegjës për sulmet me armë kimike në Siri.

Kremlini i hodhi poshtë thirrjet e ShBA-së dhe zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se duhet të merren “masa urgjente dhe drastike për të mbrojtur trupën e OKB-së dhe të gjitha aktivitetet nga diktati i ShBA-së”.

Autoriteti i Mekanizmit të Përbashkët Hetimor të OKB-së dhe i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike do të përfundojë në mes të nëntorit. Në Këshillin e Sigurimit, javën e kaluar, Rusia u ka vënë veto përpjekjeve për rinovim të mandatit të tij, të udhëhequra nga ShBA-ja.

Ekipi hetues i OKB-së ka konstatuar se Qeveria siriane ka qenë përgjegjëse për një sulm me gaz sarin në qytetin sirian, Khan Sheikhoun, në muajin prill. Dhjetëra njerëz kanë humbur jetën në këtë sulm.

"Përpjekjet e Rusisë për të minuar dhe eliminuar Mekanizmin e Përbashkët Hetimor tregojnë një mospërfillje të kobshme ndaj vuajtjeve dhe humbjeve të njerëzve, si pasojë e përdorimit të armëve kimike, dhe mungesë të plotë respekti për normat ndërkombëtare",- tha përmes një deklarate Shtëpia e Bardhë.

Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, e cila gëzon mbështetjen e Rusisë, ka mohuar vazhdimisht përdorimin e armëve kimike. Për sulmin në Khan Sheikhoun ajo ka fajësuar rebelët sirianë.