Maqedoni

Vendimi për rastin “Kumanova”, BDI: hetim gjithëpërfshirës, të zbardhet e vërteta

02.11.2017 16:20

Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet në qëndrimin e vet për përfshirje të ekspertëve...

Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet në qëndrimin e vet për përfshirje të ekspertëve ndërkombëtarë në një hetim gjithëpërfshirës për zbardhjen e të gjitha paqartësive të ndërlidhura me rastin “Kumanova”. Procesi i gjykimit dhe dëshmitë e protagonistëve nxorën në sipërfaqe dilemat rreth organizatorëve dhe motiveve të këtij rasti të rëndë, prandaj qytetarët kanë nevojë ta kuptojnë të vërtetën e plotë”,- thonë nga BDI. 
 
Pjesë të dëshmive si dhe materialeve me të cilat qytetarët kishin mundësi të njoftohen nëpërmjet mediave aludojnë në përfshirjen e dyshuar edhe të përfaqësuesve zyrtarë të institucioneve më të larta të shtetit në komunikim me protagonistët e ngjarjes.
 
Prandaj, BDI fton Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe autoritetet e sundimit të së drejtës që të përfshijnë ekspertë ndërkombëtarë në hetimin e rastit, si dhe të vendosin komunikim dhe bashkëpunim edhe me autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë në shkëmbimin e informacioneve drejt zbardhjes së tërësishme.