Maqedoni

Këshilli i Prokurorëve Publikë shqyrtoi kandidaturat për kryeprokuror

02.11.2017 17:04

Këshilli i Prokurorëve Publikë shqyrtoi dhe dorëzoi te Qeveria mendimet lidhur me kërkesat e parashtruara në shpalljen për zgjedhjen e prokurorit publik të Maqedonisë.

Në komunikatën e Këshillit të Prokurorëve theksohet se janë shqyrtuar kërkesat e kandidatëve të cilët kishin dokumentacion të plotë dhe për ta janë dhënë shpjegime me shkrim të cilat i janë dorëzuar qeverisë.
 
Në konkursin për prokurorë të ri shtetërorë janë paraqitur 23 kandidatë. Sipas ligjit, qeveria në seancë duhet t’i shqyrtojë kandidaturat dhe mendimet e Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe duhet të vendosë për një nga kandidatët. Pastaj vendimi shkon në Kuvend si një propozim-zgjidhje dhe në të njëjtën kohë dorëzohet edhe mendimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë.
 
Për emërimin e prokurorit publik, kuvendi vendos me shumicë të thjeshtë prej 61 votash. Mandati i prokurorit publik shtetëror është gjashtë vjet me të drejtë të riemërimit. Prokurori i ri shtetëror duhet të vijë në vendin e Marko Zvrlevskit, i cili nga Kuvendi u shkarkua më 17 gusht të këtij viti. 
 
SANIJE DURAKU