Maqedoni

Gjykata nuk pret ekstradimin e Grujevskit, më 6 nëntor fjalët përfundimtare për “Fortesa 2”

02.11.2017 17:50

Gjykata Penale mori vendim që ish-shefit të DSK-së, Goran Grujevskit, të gjykohet në mungesë, sepse është i arrestuar në Greqi dhe nuk ka qasje për organet gjyqësore...

Procedura dëshmuese u zhvillua pa praninë e opinionit për shkak të dëshmive nga DSK-ja që i kërkoi Prokuroria Speciale. Prokurorja, Lençe Ristevska, tha se është e bindur se Gjykata do të ketë vendim për dënim sepse posedon dëshmi bindëse.
 
“Kemi dëshmi të fuqishme materiale dhe verbale. Të gjitha dëshmitë janë në favor të teorisë së akuzës, andaj jemi të bindur se të akuzuarit do të dënohen. Gjykata pranoi edhe dëshmitë plotësuese të dorëzuara nga PPS dhe aty shihet qartë se bëhet fjalë për lëndën “ndjekje e paligjshme e komunikimeve””,- u shpreh Lençe Ristevska nga PPS.
 
Por, avokati i Grujevskit, Lupço Shvrgovski, tha se nuk duhet të ketë gjykim për Grujevskin, i cili për momentin është në Selanik dhe po e pret vendimin e ekstradimit.
 
“Përderisa nuk përfundon procesi i ekstradimit, nuk mund që Goran Grujevski të gjykohet në mungesë, sepse në këtë mënyrë shkelet e drejta e tij esenciale dhe ajo është e drejta e mbrojtjes. Lokacioni i Gruevskit dihet saktë dhe pengesë tjetër është që tanimë është në rrjedhë e sipër procedura e ekstradimit. Ky rast duhet të anulohet për kohë të pacaktuar, përderisa nuk dihet se cili është vendimi i autoriteteve greke”,- tha avokati mbrojtës, Lupço Shvrgovski. 
 
Avokatët e Grujevskit kërkuan që Gjykata të japë urdhër reparteve të DSK-së që të japë kopje nga listat me përgjime jolegale të qytetarëve të cilët janë shkatërruar. Gjykatësja refuzoi kërkesën e avokatëve të Grujevskit që të kërkojë kopje nga dokumentet e shkatërruara. Më 6 nëntor do mbahet fjala përfundimtare për rastin “Fortesa 2”.
 
FLUTURA LATIFI