Maqedoni

“Lagjja e trimave” - aktvendimi, 7 dënime të përjetshme dhe 746 vite burg

02.11.2017 17:59

Gjykata Penale në Shkup ka shpalosur aktvendimin për 37 të akuzuarit në rastin e Kumanovës...

Gjykata shpalli fajtorë 33 të akuzuar, me çka vendosi për 7 dënime të përjetshme,746 vite burg dhe katër të liruar nga akuza. Shtatë të akuzuarit, Dem Shehu, Fadil Fejzullai, Andi Krasniqi, Nasuf Bekiri, Valdet Zekaj, Beg Bajraj dhe Fejzullah Rushitovski, u dënuan me burg të përjetshëm, ndërsa 13 prej tyre, Sami Ukshini, Eset Kafixholli, Ardian Bujari, Shefqet Hallaqi, Betim Kabashi, Genci Sefa, Enver Hoxha-Klain, Rufki Dogani, Bajram Elshani, Nexhmedin Lika, Lirim Krasniqi, Sevdail Miftari, Fatmir Reçica u dënuan me 40 vite burg.
 
Të akuzuarit, Qenan Iseni, Fadil Elshani, Lirim Demiri, Hajrush Avdia, Lendrit Rustemi, Mirsad Qerimi u dënuan me nga 20 vite burg. Të akuzuarve, Irfan Lutfiu dhe Seadudin Abdullahu, iu shqiptua dënimi me burg nga 14 viteve, Arsim Bajramit dhe Elham Arifit nga 13 vite burg, ndërsa nga 12 vite burg u dënuan Ebib Aliji dhe Musadik Pajaziti. Gjykata me këtë rast shpalli të pafajshëm Ibrahim Murtezin, Besnik Ajdinin, Besnik Bajramin dhe Fazli Osmanin. Avokatët mbrojtës vlerësuan se dënimet janë drakonike dhe paralajmëruan ankesa në instancat më të larta gjyqësore. Ata po ashtu shpresojnë në hetimin e paralajmëruar ndërkombëtarë.                       
                                                               
“Këto janë dënime drakonike më të vërtetë, ne si palë mbrojtëse edhe e kemi pritur këtë vendim duke e ditur se trupi gjyqësor është i dirigjuar prej prokurorisë. Shpresoj që ky rast të jetë i fundit që është i montuar. Ne si palë mbrojtëse kemi informata, posedojmë dëshmi që së shpejti do të jepen, ku dëshmohet se skenar është shërbimi sekret. Jam i sigurt se këtë prova në interval shumë të shkurtër do të prezantohen. Ne besojmë që ndërkombëtarët pas këtij akt gjykimi, që nuk është korrekt me vendime drakonike, që do të ndërmarrin masa dhe do të involvohen në zbardhjen e rastit”,- deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.                                             
                              
“Ne shpresojmë se instancat më të larta gjyqësore dhe Prokuroria Speciale publike, ku dorëzuam kërkesë për marrjen e kësaj lënde në procedurën e mëtejshme para Gjykatës së shkallës së dytë dhe tretë. Do të dëshmojmë se nuk ekziston vepër penale “terrorizëm” dhe “organizim terrorist”. Kjo duhet  rrënjësisht të hetohet, ku veçanërisht përshëndes idenë për hetim ndërkombëtar”,- tha avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.                                         
 
Familjarët e të akuzuarve të revoltuar dhe pakënaqur nga gjykimi kërkojnë drejtësi.   
             
“Drejtësi nuk ka këtu, nuk ka pasur e as që do të ketë. Çka mendojnë politikanët që i kanë lënë fëmijët pa prindër, nuk e kanë askënd, fëmijët nuk kanë ushqim, nuk kanë të ardhura. Ne nuk kemi mundësi t’u ndihmojmë”,- thanë familjarët,  Fejzullah Rushitovski dhe Isak Pajaziti.         
                                             
“Nuk e di se për çka, nuk e din askush, vetëm ata që e kanë dënuar. Përgjegjësinë e kanë politikanët, prej të parit deri tek i fundit. Ky është mashtrim, i kanë mashtruar jo vetëm vëllanë tim por të gjithë”,- potencoi familjari, Isak Pajaziti. 
 
“S’kemi ku të shkojmë më, edhe trupi është prishur më, le të na i marrin edhe shpirtin, ja ku e kanë. A pyesin a dikush çfarë të hajë? Çka do t’i thuash fëmijëve në shtëpi tani që e presin babanë? T’u thuash se e kanë dënuar 40 vjet?”,- theksoi daja i Elham Arifit. 
 
Aktvendimin e sotëm nuk deshën ta dëgjojnë pjesa më e madhe e të akuzuarve. Ata bojkotuan gjykimin teksa para daljes nga salla kënduan himnin kombëtar të shoqëruar më pas me thirrjet “Rroftë bashkimi kombëtar”. 
 
Në kohën kur zhvillohej seanca gjyqësore, shërbimet policore kishin arrestuar një person që ka lëvizur në drejtim të policisë, me dyshimin se kishte eksploziv rreth trupit. Policia konfirmon se bëhet fjalë për 57 vjeçarin me inicialet I. I. nga Haraçina, por nuk dha më tepër detaje për rastin. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI