Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, KShZ hedh poshtë kundërshtimet e partive
02.11.2017 18:17
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve hodhi poshtë thuaja të gjitha kundërshtimet e partive politike të dorëzuara për procedurën e votimit..

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve hodhi poshtë thuaja të gjitha kundërshtimet e partive politike të dorëzuara për procedurën e votimit, mbledhjen dhe përcaktimin e rezultateve nga raundi i dytë i zgjedhjeve lokale 2017.
Sipas KShZ-së, kundërshtimeve nuk iu është bashkangjitur asnjë dëshmi që do të provonte shkeljen e procesit zgjedhor. KShZ hodhi poshtë të gjitha kundërshtimet e Lëvizjes BESA, që kishin të bëjnë me zgjedhjet në komunën Çair, dhe 5 nga 13 kundërshtime të ASh-së për procesin zgjedhor në Strugë.
“Në harmoni me rregulloren tonë për procedim të kundërshtimeve, parashtruesi i kundërshtimit i parashtron dëshmitë përkatëse në origjinal ose fotokopje të noterizuar”,- deklaroi anëtarja e KShZ-së, Violeta Duma.
“Kundërshtimet nuk bazohen në dëshmi. Që të mos zgjatem, edhe unë jam në të njëjtën vijë me diskutantët paraprakë, duke shqyrtuar procesverbalet konstatova se në asnjërin nuk është shënuar vërejtje”,- u shpreh nënkryetari i KShZ-së, Rexhep Prekopuca.
“Konstatoj se me nëntë vota kundër janë refuzuar kundërshtimet dhe është marrë vendim me të cilin ato refuzohen”,- tha kryetari i KShZ-së, Aleksandar Çiçakovski.
KShZ është e obliguar që në afat prej 48 orëve të marrë vendim për kundërshtimet e partive politike. Kundër vendimit të KShZ-së, dorëzuesi i listës mund të parashtrojë padi deri te Gjykata Administrative në afat prej 24 orëve nga pranimi i vendimit. Gjykata Administrative është e detyruar të marrë vendim në afat prej 48 orëve nga pranimi i padive. Vendimet e Gjykatës Administrative janë përfundimtare.
SHPËTIM NUREDINI
