Maqedoni

Rasti “Kumanova”, burg të përjetshëm edhe për Sulejman Osmanin

03.11.2017 15:22

Dënim me burg të përjetshëm Gjykata Penale në Shkup ka shqiptuar edhe për të akuzuarin e 38 të rastit të Kumanovës, Sulejman Osmanin...

Me këtë numri i të akuzuarve me burg të përjetshëm në këtë rast arrin në 8. Sulejman Osmani, pas shqiptimit të dënimit nga ana e trupit gjykues, reagoi me duartrokitje dhe tha se ky është dënim jo vetëm për atë, por edhe për 7 milionë shqiptarë.
 
Për Osmanin u zhvillua seancë e veçantë gjyqësore, për dallim nga 37 të akuzuarit e tjerë, pasi ai për një vit ishte i pakapshëm për organet e shtetit. Ai u arrestua nga Policia e Kosovës dhe më 22 qershor të vitit të kaluar u ekstradua në Maqedoni.
 
Avokati mbrojtës, Naser Raufi, edhe më tej thekson se ky është skenar i shërbimit sekret dhe kjo do të zbulohet. “Më shumë se 20 dëshmitarë nuk u pranuan me arsyetimin se nuk kanë fuqi relevante dhe kështu nuk na u mundësua të zbardhim rastin”. Ndaj këtij vendimi ai paralajmëroi ankesa në Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme.
 
“Gjykata Themelore Shkup 1 i ashtuquajtur “Gjykata Sfarovski”, që sipas meje është para vdekjes klinike, e shpalli edhe një aktgjykim me burg të përjetshëm për Sulejman Osmanin dhe ky dënim sipas meje dhe sipas provave që posedojmë, d.m.th. që punohet për një rast të montuar nga na e shërbimit sekret dhe mendojmë se në arsyetimin e gjykatës në formën me shkrim nuk di si do ta arsyetojë momentin kur nuk i pranon provat tona”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Vëllai i Sulejman Osmanit, i mllefosur nga vendimi gjyqësor, thekson se edhe ky rast është i montuar si edhe shumë të tjerë ndaj shqiptarëve.
 
“Këto janë raste të montuara, kjo nuk është hera e parë, ne jemi gjithmonë të montuar. Bëj apel që këtë rast ta marrin ndërkombëtarët. Familje i kam dy nipa me burg të përjetshëm dhe Sulejman Osmani, bëhen 3”,- u shpreh vëllai i Sulejman Osmanit.
 
Gjykata për këtë rast shpalli fajtorë edhe 33 të akuzuar. Shtatë të akuzuarve,  Dem Shehu, Fadil Fejzullai, Andi Krasniqi, Nasuf  Bekiri, Valdet Zekaj, Beg Bajraj dhe Fejzullah Rushitovski iu shqiptua burg i  përjetshëm, 13 të akuzuar u dënuam me nga 40 vite, 6 të akuzuar morën dënime me nga 20 vjet burg, 2 me 14, 2 me 13 dhe 2 të akuzuar me dënime me 12 vjet burg, gjithsej 746 vite burg. Gjykata shpalli të pafajshëm Ibrahim Murtezin, Besnik Ajdinin, Besnik Bajramin dhe Fazli Osmanin. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI